Ditë zie për gjithë futbollin shqiptar, vjen edhe reagimi i Armand Dukës

Një ditë zie është për gjithë futbollin shqiptar ndarja nga jeta e ish-futbollistit të Partizanit, Miço Papadhopulli. Nga ato raste ku veprat dhe kontributi i madh e bën njeriun e pavdekshëm, ashtu si edhe Miço, që u largua vetëm fizikisht prej nesh.

Ndërkohë ka ardhur edhe reagimi i presidentit të FSHF-së, Armand Duka. Nëpërmjet një postimi në “Facebook”, kreu i organizmit më lartë të futbollit në Shqipëri ka shprehur gjithë hidhërimin e tij për ndarjen nga jeta të një figure me kaq shumë vlera për futbollin shqiptar, si Miço Papadhopulli.

“Të dashur miq të familjes tonë të madhe të futbollit, me hidhërim të thellë dëshiroj të ndaj me ju lajmin e trishtë se Miço Papadhopulli, President Nderi i FSHF, një ish-mbrojtës i shkëlqyer, drejtues futbolli dhe mik i mirë, është ndarë nga jeta. Në këtë moment të vështirë për të gjithë ne, për familjen dhe miqtë e tij të shumtë, gjej rastin t’i shpreh familjes dhe të afërmve ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e njeriut të tyre më të dashur. Kujtimet që na ka lënë, do të jenë të paharruara”, shkruan Duka. /Sport Ekspres/