Ditë e shenjuar për klubin e Partizanit, të kuqtë rikujtojnë me krenari dekorimin “Nderi i Kombit”

Kalendari ditën e sotme shenjon një datë të veçantë për klubin e Partizanit. Kjo pasi si sot 4 vite më parë Bujar Nishani, asokohe president i Republikës së Shqipërisë, dekoron me titullin “Nderi i Kombit” skuadrën kryeqytetase. Një dekoratë kjo që nuk i kishte shkuar asnjë tjetër klubi shqitar më parë, duke bërë që “demat e kuq“ të ishin të parët që të shijonin një nderim të tillë në vendin tonë. Ndërkohë titulli “Nderi i Kombit“ erdhi edhe në një vit të veçantë për ta, pasi 2016-a përkonte me 70 vjetorin e krijimit të Partizanit.

Këta të fundit janë një nga ekipet me më tepër trofe dhe histori në futbollin shqiptar, të cilit i kanë dhënë shumë ndër vite. Gjithashtu edhe mbështetja në drejtim të tyre nuk ka munguar asnjëherë, teksa numri i tifozëve “të kuq“ në mbarë Shqipërinë është i lartë. Kështu Partizani ka vendosur ta risjellë edhe një herë në kujtesë këtë episod të rëndësishëm të historisë së tyre si klub, duke shpërndarë në faqen e tyre zyrtare në “Facebook“ një video të momentit kur njoftohet ky lajm./Sport Ekspres/