Dita më e madhe e Panamasë, presidenti e shpall festë kombëtare

0

Dita e sotme është shpallur festë kombëtare dhe pushim për të gjithë në Panama, me urdhër të presidentit panamez, pas kualifikimit historik të Panamasë për në Kupën e Botës, ku do të marrë pjesë për herë të parë.

Dukej sërish një mirazh, kur Kosta Rika shënoi e para në Panama Siti dhe ndeshja po shkonte 1-1 deri në fund, ndërkohë që duhej patjetër fitorja. Edhe barazimi i Panamasë ishte i mbushur me polemika, sepse pamjet filmike treguan që topi nuk e kishte kaluar vijën fatale.

Megjithatë, arbitri akordoi gol dhe më pas Panamaja ishte e tëra në sulm, derisa 3 minuta para përfundimit mbrojtësi Roman Torres çoi në delir stadiumin Rommel Fernandez, duke shënuar golin më të rëndësishëm të jetës së tij dhe gjithë futbollit panamez.

Panamaja e vogël, vetëm 75 mijë kilometra katrorë në rripin e vogël që bashkon dy Amerikat, me një popullsi prej rreth 4 milionë banorësh, ka lënë jashtë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sa për të kuptuar përmasat e asaj që ka realizuar në këto kualifikuese.

Për këtë arsye, presidenti Huan Karlos Varela e ka shpallur ditën e sotme festë kombëtare, për të vazhduar festimet e kualifikimit.

Në Twitter, presidenti ka shkruar: “Zëri i popullit është dëgjuar; festoni këtë ditë historike për Panamanë. E mërkura është ditë feste kombëtare, një ditë historike, ku gjithçka pezullohet, nga punëtorët e deri te shkollat, dhe të gjithë duhet të festojmë”.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image