Dita e gjykimit bardheblu

0

Olsi Avdiaj

E mërkurë ora 16:00. Stadiumi “Zeqir Ymeri”. Ose dita e gjykimit bardheblu. Prej dhjetë javësh, Tirana nuk fiton në kampionat, duke humbur “epitetin” skuadra speciale e Superiores. Për të, janë histori e harruar, 24 titujt kampionë e 15 Kupat e Shqipërisë. Në Kukës, sot ekipi bardheblu luan 90 minuta, që mund t’i shpëtojnë sezonin, apo përfundimisht, ta baltosin në këtë kampionat, që i ka zhvlerësuar fanellën e rëndë të kryeqytetasve. Në 180 minuta, gjysma prej të cilave luhen sot, Tirana e Mirel Josës kërkon të kualifikohet në finalen e Kupës së Shqipërisë.

Për të shpëtuar një sezon të shkatërruar nga ana sportive, financiare dhe morale. Një finale në Kupe, apo një trofe të tillë ekipi bardheblu nuk e shijon prej 2012-ës. Por para se të bëjë llogari finaleje, trofeu Europe apo parash, Josa dhe djemtë e tij, duhet të kalojnë Besëlidhjen. Ekipin e Kategorisë së parë. Sfidanti i bardhebluve që ka nxjerrë jashtë Partizanin dhe Flamurtarin.

Në futbollin e sotëm “Davidi dhe Goliathi” gjithmonë “shquhet” qartë në horizont. I vogli e mund të madhin dhe ekipi lezhjan i ka dhënë provat se rrëzon pesha të rënda në fushën e blertë. Prova që Tirana nuk i ka dhënë dot, kur është “thirrur nën armë”. Sepse ka dështuar me sukses në kampionat, pasi nuk ka mundur dot asnjë ekip nga janari e në vazhdim. Sigurisht, duke lënë mënjanë takimin e shumë përfolur me Kukësin në fillim të janarit. Lezhjanët simpatikë vijnë në stadium me qetësinë e “surprizës”. Me faktin që nuk kanë për të humbur asgjë, por për të fituar shumëçka. Si Leiçesteri i vjetshëm, që habiti botën, këtë herë Besëlidhja beson tek finalja e madhe.

E kundërta po ndodh me Tiranën. Që vetëm “petk” kampionësh nuk ka treguar këtë sezon. Një humbje sot në Kukës do ta zhyste Tiranën në labirintet e “Hadit”, e maktheve që kanë bllokuar prej dhjetorit 2016, këmbët e lojtarëve të Josës.

Gjithsesi, duke lënë pas “pathosin” apo emocionet(quajeni si të doni), Tirana duhet të japë maksimumin kundër lezhjanëve, pasi Kupa mbetet alternativa e vetme për të prerë biletën evropiane dhe qetësuar mendjet e nxehta të tifozëve. Që sigurisht do të mungojnë në stadium. Një situatë të qetë dhe pa praninë e tifozëve në stërvitje është njëra pamje. Tensioni i Josës dhe “babaxhanllëku” i Halilit, janë pamja tjetër. Por këto ndjesi kanë pak vlerë.

Tirana sot duhet të fitojë. Sepse kundërshtari vjen nga një kategori më poshtë. Sepse një skuadër si Tirana, duhet të jetë në finalen e Kupës së Shqipërisë. Sepse për bardheblutë sot është dita e gjykimit ku ndahen rrugët e kampionëve dhe dështakëve… Sepse në të kundër, “Tirona” nuk është më Tirona.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image