Dita e 10 milionë shqiptarëve, 14 vite nga fitorja epike me Greqinë

0

Si sot para 14 vitesh, Kombëtarja e Shqipërisë zhvillonte një nga ndeshjet më emocionuese të historisë së saj, duke fituar përballë Greqisë me rezultatin 2-1. Murati dhe Aliaj shënonin dy golat që nuk do të harrohen asnjëherë nga tifozët shqiptarë. Fatlumë të mëdhenj ata të cilët arritën të siguronin një biletë për të ndjekur sfidën në “Qemal Stafa”, që nuk është mbushur kurrë më shumë se sa mbrëmjen e 4 shtatorit të vitit 2004. Por, çfarë adrenaline dhe krenarie për gjithë shqiptarët nëpër botë, të cilët ndoqën takimin e zjarrtë nga ekranet e televizorëve.

Kundërshtari sapo ishte shpallur Kampion Europë, duke triumfuar në kompeticionin e zhvilluar në Portugali dhe zhvillonte në Tiranë ndeshjen e parë zyrtare pas fitimit të titullit europian. Greqia drejtohej nga gjermani Oto Rehagel, ndërsa Shqipëria nga gjermani Hans Peter Brigel, i cili mposhti bashkëkombësin e tij. Atmosferë magjike gjatë gjithë ditës, me tifozë të shumtë që vinin nga gjithë Shqipëria, por dhe tokat e tjera shqiptare të Dardanisë, Iliridës, Malësisë, Çamërisë dhe nga e gjithë diaspora.

Stadiumi ishte mbushur prej kohësh, ndërsa pjesa e mbetur jashtë ndiqte takimin në një monitor të madh të montuar tek Akademia e Arteve. “Këtu nuk është Portugali”, ishte pankarta epike, që u hap para fillimit të ndeshjes në sheshin “Nënë Tereza”, dhe më pas në stadium. Pragndeshja ishte e pabesueshme, me njerëz që festonin pa filluar takimi. I madh e i vogël mezi po priste nisjen e sfidës dhe të gjithë ishin të bindur në triumfin e djemve kuqezinj, të cilët iu dhuruan shqiptarëve një fitore legjendare dhe një natë madhështore. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, sepse 4 shtatori i vitit 2004 ishte nata e shqiptarëve.

Takimi nisi në një tifozllik elektrizues dhe Edvin Murati vendosi t’i çonte të gjithë në ekstazë që në minutën e dytë. Ish-mesfushori i PSG-së, i cili aktivizohej në kampionatin grek atë periudhë me Iraklis, shënoi me kokë, duke kaluar kuqezinjtë në avantazh. Nëntë minuta më vonë, Adrian Aliaj lëshonte një predhë në drejtim të portierit Nikopolidhis, i cili i kishte ndaluar të gjithë në Portugali, por qëndroi pa lëvizur fare, sepse te goditja e vlonjatit ishin shpresat dhe lutjet e gjithë shqiptarëve, me lojtarin, i cili shënoi ndoshta golin më të bukur që ka realizuar ndonjëherë Kombëtarja jonë. Janakopulos shkurtonte rezultatin në pjesën e parë, sa për ta bërë më dramatike ndeshjen, por lojtarët qëndruan stoik deri në fund, duke e mbrojtur fitoren me zemër, grintë dhe sakrificë.

Fitore historike dhe të gjithë në rrugë duke festuar deri në orët e para të mëngjesit, madje kishte dhe nga ata që e kishin nisur festën që mbas mbarimit të pjesës së parë. Foto Strakosha, Elvin Beqiri, Adrian Aliaj, Lorik Cana, Altin Lala, Ervin Skela, Klodian Duro, Besnik Hasi, Edvin Murati, Florian Myrtaj, Igli Tare ishin formacioni i zgjedhur nga Brigel ndërsa në stol qëndronin: Alban Bushi, Mehmet Dragusha, Blendi Shkëmbi, Rezart Dabulla, Henri Ndreka, Ardit Beqiri, Ilion Lika.

Edhe sot kur pyet njerëz për fitoren me Greqinë, dallohet qartë emocioni dhe krenaria e madhe. Të flasin për ndeshjen sikur është luajtur dje dhe jo para 14 vitesh. Koha kalon shpejt dhe nuk pyet fare, por nëse njerëzve iu ke dhuruar emocione të forta, ata nuk i harrojnë kurrë dhe të falënderojnë gjithmonë. Forca SHQIPËRIA!

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.