Disiplina, “një për të gjithë, të gjithë për një”

0

Parantezë… Ultras Guerrils dhe tifozët e flaktë të Partizanit të na falin, sepse kurrsesi s’kemi asgjë personale kundër tyre dhe nuk mund t’i kuptojmë në sakrificën që bëjnë gjatë një sezoni, duke ndjekur ekipin në shi, borë, por edhe mes vështirësive ekonomike…

Por, këtu po flasim për një skualifikim të gjithë stadiumit. E njëjta histori me atë që ndodhi me Tiranën (asgjë kundër Fanatics gjithashtu, por çdo tifozerie tjetër ultrase, pasi është një filozofi të cilën s’e kuptojmë dot ndaj më mirë të mos gjykojmë), dy sezone më parë, kur në ndeshjen e parë në “Loro Boriçi”, përplasjet mes tifozerive sollën ndëshkimin e klubit bardheblu me 15 javë pa tifozë, ashtu sikurse edhe 10 për Vllazninë pritëse.

Këtu po flasim për paradoksin më të madh. Dënim kapital, dënim i përgjithshëm dhe gjithëpërfshirës. Pak rëndësi ka nëse pjesa më e madhe e tifozëve të Tiranës nuk ishin aspak në Shkodër, pak rëndësi ka që pjesa më e madhe e tifozëve të Partizanit nuk ishin aspak në Kukës… Për Federatën dhe Komisionin e Disiplinës, vlen rregulli “një për të gjithë, të gjithë për një”, por këtu s’jemi në legjendën e Tre Mosketierëve, por në një realitet që në vend që të tërheqë tifozët, i shtyn ato larg.

Pra, shembull konkret… Një tifoz që nuk ka prekur ndonjëherë një stol me dorë në jetën e vet, që s’ka lëshuar as ndonjë “arbitër legen” në tribunë, që është sjellur denjësisht në çdo ndeshje, dënohet njësoj me një grupim ultrasish që sigurisht ka motivet e vet të reagimit në atë formë, një çështje me të cilën as nuk na përket ne ta gjykojmë.

E kështu, ndërsa tifozët e Tiranës bojkotojnë stadiumin, ata të Partizanit i “bojkoton” federata. Në fund, askush nuk fiton, por humbasim të gjithë…

Në foto, pamje nga stadiumi “Signal Iduna Park”, në Dortmund… Në sfond, teksa lojtarët e Dortmundit festojnë pas një fitore brenda fushës, “muri i verdhë”, që është kthyer në “mur të zi”. Ttifozët ultras janë skualifikuar, pasi kishin shkaktuar probleme një javë më parë. Ah, po, harruan të skualifikonin të gjithë stadiumin, do t’u ketë ikur nga mendja. Gjermanë “hesapi”…

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here