VIDEO | Skandal: Një penallti tërbon Kamzën, goditet arbitri

Laçi pa busull, edhe pse barazoi 1-1 me Kamzën. Por skenën e mori dhuna, pasi u godit arbitri Eldorian Hamiti. Tifozë në fushë, që sulmojnë. Presidenti Qarri futet në fushë dhe mundohet të mbrojë arbitrat. Hyn edhe policia për të qetësuar gjakrat. Skandaloze.

NDESHJA – Një ndeshje e vakët, me pak raste, por me skuadrën vendase më konkrete dhe kërkuese. Fitore e ikur nga duart, me Laçin që ruan distancën prej katër pikësh me Teutën. Sytë nga Vlora tashmë, pasi luajnë Flamurtari e Kastrioti.

Pjesa e parë e takimit ishte e vakët, me pak raste nga të dyja krahët. Pak shkëndija nga të dyja krahët dhe asnjë gol në 45 minuta. Në të dytën Kamza arriti të realizojë një gol mjaft të bukur, pas një kombinimi të Martinenës me Plakun. Ky i fundit me një gjuajtje me të majtën arriti të kalonte Kamzën në avantazh.

Mumajesi më pas mund të shënonte edhe të dytin, por portieri Selmani e ndaloi. Laçi u mundua të sulmonte, por nuk kishte qartësi në sulmet e saj. Vetëm në fund erdhi goli i barazimit, pas një penalltie të akorduar nga gjyqtari Hamiti. Najdenov shënoi dhe takimi u mbyll 1-1.

Kategoria Superiore – Java 24
E diel, më 3 mars, ora 14:00
Stadiumi i Kamzës, Kamzë

Kamza-Laçi 1-1
Shënues: Plaku 56′ / Najdenov 97′

GOLI ME PENALLTI NGA NAJDENOV

96′ Penalltia – Avdyli në duel me Fangajn, mbrojtësi përfundon i shtrirë. Për abritrin ishte penallti dhe kjo nuk u prit mirë nga tifozët dhe lojtarët në fushë.

89′ – Gjoni me kokë nuk arrin të vendosë baraspeshë. Topi i gjuajtur prej tij nuk pati shenjëstrën e duhur.

76′ – Portieri Avdyli ndal sulmuesi Redon Xhixha. Ky i fundit, pas një krosi në zonë, me kokë gjuan dhe portieri vendas pret i sigurt.

61′ – Mumajesi në hyrje të zonë lëviz bukur dhe godet me të majtën. Portieri i Laçit, Selmani, e devijoi topin dhe largoi rrezikun.

56′ GOL – Sebino Plaku ndëshkon skuadrën e Laçit. Sulmuesi shmang bukur në zonë Toron dhe me një goditje të bukur mposht portierin Selmani.

50′ – Trajneri Besnik Prenga hedh në fushë Redon Xhixhën dhe sakrifikon shkodranin Ndriçim Shtubina.

46′ – Mumajesi futet në vend të Niko Zisit. Zëvendësimi i parë te skuadra e Kamzës, që kërkon fitoren

34′ – Italiani Klaudio Bonani kroson nga e djathta dhe gjen kapitenin Sebino Plaku në zonë. Sulmuesi me kokë e dërgon topin mbi tra.

28′ – Goditje dënimi për kurbinasit, Najdenov merr përsipër ekzekutimin dhe e dërgon topin shumë mbi tra. Asnjë rrezik për Kamzën

18′ – Plaku merr një top në zonë dhe heziton të gjuajë në momentin e parë. Mbrojtja e Laçit më pas e bllokon sulmuesin dhe topi i gjuajtur prej tij devijohet jashtë. Korne.

17′ – Laçi del në sulm me Okpotu nga e djathta, nigeriani fut topin në zonë dhe gjen Najdenov. Maqedonasi gjuan, pret portieri Avdyli.

10′ – Ndeshje e vakët, me qarkullim të topit nga të dyja ekipet. Gjithsesi nuk ka raste të rrezikshme. Qaqi nga distanca është i pasaktë në tentativën e tij.

Kamza: Avdyli, Shala, Qaqi, Bitri, Bonani, Rezi, Malaj, Mehmeti (Orelesi 87′), Zisi (Mumajesi 46′), Plaku, Martinena (Arrabal 77′). (Në dispozicion: Selaci, Beqiri, Fejzaj, Peçi). Trajner: Gentian Stojku
Laçi:
Selmani, Fangaj, Toro, Gjoni, Mersinaj, Eller, Jonuzi (Domgjoni 66′), Najdenov, Çokaj, Shtubina (Xhixha 50′), Okpotu (Mane 80′). (Në dispozicion: Sali, Pjeshka, Sefgjini, Lushkja). Trajner: Besnik Prenga

Gjyqtarë: Eldorjan Hamiti, Rudin Preça, Ani Koçiaj, Olsi Sokoli
Delegat: Millan Baçi; Vëzhgues: Idriz Gashi
Kartonë të verdhë: Qaqi 31′, Bitri 33′, Rezi 67′ / Okpotu 36′

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *