VIDEO | Partizani kalon dhe Luftëtarin, kreu është i kuq

Partizani arrin të kalojë dhe Luftëtarin, duke u rikthyer në vendin e parë. “Demat” kanë triumfuar me rezultatin 2-1 në “Selman Stërmasi” ndaj gjirokastriteve, që provuan deri në fund të mos dilnin duarbosh nga kjo sfidë. Goli i Mensah dhe më pas realizimi i Telushit nga pika e bardhë e penalltisë e zhvlerësuan golin e Vasil Shkurtaj.

Partizani e nisi ndeshjen më kërkues dhe u shpërblye në minutën e 21-të. Mensah shfrytëzoi një rrëmujë në zonën e bluzinjve dhe shtyu topin në fundin e rrjetës. Skuadra e Mezanit nuk u dorëzua dhe me një kundërsulm perfekt vuri ekuilibrin me anë të Shkurtajt që finalizoi saktë një pasim të Radoviç.

Në fraksionin e dytë skuadrat nuk u pajtuan me rezultatin dhe nisën që të ngacmonin në portat respektive, por me vendasit që kishin më shumë iniciativë. Partizani fitoi të drejtën për të ekzekutuar një 11-metërsh dhe Telushi nuk gaboi nga pak e bardhë e penalltisë.

Në minutat e mbetura nuk pati ndryshim rezultati, por duhet veçuar se u rikthye në fushën e blertë Eduart Rroca, i cili zbret në fushë për të parën herë këtë edicion.

Partizani shkon në kuotën e 22 pikëve pas fazës së parë, ndërsa Luftëtari mbetet me 6 pikë në vendin e parafundit. “Demat” vijojnë me ecurinë e tyre pozitive, por pësojnë golin e parë për këtë edicion në një aksion të rrjedhshëm.

Kategoria Superiore – Java 9
E diel, më 21 tetor, ora 17:00
Stadiumi “Selman Stërmasi”, Tiranë

PARTIZANI 2-1 LUFTËTARI
Shënues:
Mensah 21′, Telushi 54′ (11-m)/ Shkurtaj 40′

Partizani: Xhika, Ibrahimi, Belica, Atanda, Trashi, Telushi, Hila, Asani (Çinari 87′), Mensah (Kalari 66′), Mala (Kote 80′), Bardhi. Trajner: Skënder Gega.  Të gatshëm: Malaj, Hyon, Gojkoviç, Hebaj.
Luftëtari: Ruçi, Liçaj (Demo 82′), Hoxha, Rapa, Xhekson, Ramadani, Rapo, Radoviç, Milosavljev (Rroca 58′), Ymeraj, Shkurtaj (Dunga 53′). Trajner: Gentian Mezani.  Të gatshëm: Shumeli, Açka, Çelaj, Hyseni.
Gjyqtarë: Kreshnik Cjapi, Orgest Grabova, Mario Shazivari, Emirion Sino.
Kartonë të verdhë: Atanda 67′, Kote 85’/ Liçaj  9′, Milosavljev  22′, Ramadani 70′
Delegat: Uvil Zajmi; Vëzhgues: Pajtim Aliko

RASTET & GOLAT

54’ – Liçaj ndal në mënyrë të parregullt Malën. Gjyqtari akordon 11-metërsh dhe Bruno Telushi nga pika e bardhë e penalltisë nuk gabon.

50‘ – Partizani pretendon për një prekje të topit me dorë brenda zone, por nuk mendon kështu gjyqtari që vazhdon loje. Ka protesta nga vendasit.

GOOOL | 40’ – Kundërzbritje e shpejtë, Radoviç bën gjithçka mirë nga e majta dhe më pas shërben për Shkurtajn, i cili me të djathtën arrin që të shënojë dhe të vendosë ekuilibrin.

GOOOL | 21’ – Pas harkimit nga këndi, në një rrëmujë brenda zonës gjirokastrite, Mensah nga fare pranë e shtyn topin në fundin e rrjetës së mysafirëve.

8’ – Bardhi provon të krijojë një situatë të rrezikshme nga ana e djathtë, por harkimi i ti shkon në duart e portierit Ruçi. Asani provon më pas me një goditje nga distanca por, sërish “gardiani” i miqve neutralizon rrezikun.
1′ – NIS NDESHJA!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online