VIDEO | As Starova nuk bën derman, Laçi ndalet nga Flamurtari

Nuk mjafton fakti që luante në shtëpi, as ndryshimi i trajnerit: Laçi nuk di të shënojë dhe kështu mjaftohet me një pikë ndaj Flamurtarit. Vlonjatët morën atë çka deshën, edhe pse i lanë vendasve të udhëhiqnin lojën e të mbanin topin. Starova duhet të gjejë ilaçin e golit.

Një ndeshje e vakët në Laç, me vendasit që i kanë besuar Xhixhës sulmin dhe prisnin shumë prej tij. Gjithsesi kurbinasit kanë qenë konfuzë dhe ka munguar qartësia dhe pasi i fundit. Dukshëm ndihej presioni dhe “sëmundja” e golit vazhdon ta rëndojë Laçin.

Nga ana tjetër Flamurtari e kishte përgatitur mirë ndeshjen dhe la pak hapësira, madje edhe mund të kishte shënuar përmes Ribajt në fillimin e pjesës së dytë. Laçi duhet thënë se u përpoq më shumë, por nuk mjafton kaq për të fituar një ndeshje futbolli. Tani kurbinasit rikthehen në vendin e katërt, me pikë të barabarta me Skënderbeun. Vlonjatët mbeten aty pranë, me dy pikë më pak.

KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 25
E diel, më 17 mars 2019, ora 14:00
Stadiumi i Laçit, Laç

Laçi-Flamurtari 0-0

Laçi: Selmani, Fangaj, Toro, Gjoni, Sefgjini, Eller, Lushkja, Najdenov (Çokaj 68′), Shtubina, Xhixha, Mane. (Në dispozicion: Sali, Domgjoni, Jonuzi, Mersinaj, Okpotu, Bushi). Trajner: Sulejman Starova
Flamurtari: Koliçi, Deliaj, Pollozhani, Veliu, Kotobelli, Mustafa, Rrapaj ( Ziaj 89′), Musta, Ribaj (Ymeraj 79′), Kale, Sukaj (Diamanti 66′). (Në dispozicion: Qirko, Beqaj, Haruni, Qarri). Trajner: Ilir Daja

Gjyqtarë: Andi Koçi, Nuri Rrapaj, Mario Shazivari, Kridens Meta
Delegat: Marjus Sulejmani; Vëzhgues: Albano Janku
Kartonë të verdhë: Najdenov 38′, Toro 65′ / Kotobelli 59′, Diamanti 74′

EPISODET –

93′ – Toro iu afrua golit, por Koliçi u zgjat dhe shpëtoi vlonjatët. Mundësi e mirë shënimi.

62′ – Xhixha në hyrje të zonës godet drejt portës, Koliçi nuk e kontrrollon dot topin. Shtubina i ndodhur pranë tenton ta çojë në rrjetë, portieri mik shmang golin

60′ – Sefgjini kroson nga një goditje dënimi, Toro me kokë e devijon jashtë. Një minutë më pas Mane me kokë nuk e devijon topin në rrjetë.

57′ – Eller ndal Koliçin. Mesfushori kroat gjuan në qendër. Kundërsulm i Flamurtarit menjëherë, Ribaj provon me një parabolë. Mbi tra tentativa e sulmuesit.

53′ – Pasime të shumta, topi shkon te Ribaj i cili me të majtën e devijon lehtë te portieri Selmani. Sulmuesi kishte mundësinë më të mirë të takimit, por nuk e priti pasimin e Kale

43′ – Lushkja provon me të majtën në hyrje të zonës, mbi tra topi i gjuajtur nga mesfushori kavajas. Asnjë rrezik për portierin mik.

27′ – Mundësi e mirë për Laçin. Xhixha lëviz mirë në zonë dhe gjuan fort, por qendrore. Koliçi pret

24′ – Gabon Fangaj, Kale nga e majta  e sulmit përparon dhe kërkon të shërbejë për shokët e skuadrës në zonë. Gjoni ishte vendimtar me humbjen e tij.

21′ – Kale provon nga distanca, por pati shqetësimin e lojtarëve vendas dhe goditi mbi tra.

17′ – Xhixha merr një top dhe del i vetëm me Koliçin. Sulmuesi realizon, por arbitri anësor më përpara ka bërë shenjë se kemi të bëjmë me një pozicion jashtë loje.

15′ – Mane merr një top nga Xhixha, sulmuesi senegalez del përballë portierit Koliçi dhe ky i fundit e ndal sulmuesin e kurbinasve.

3′ – Goditje këndi për Laçin, Sefgjini kroson në zonë dhe Xhixha me kokë e dërgon jashtë kuadritit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *