Dinamo Kiev-Skënderbeu, një penallti na shuan shpresat

Prej orës 19.00, Skënderbeu luan sfidën e parë të sezonit në grupet e Europa League. Trajneri Daja konfirmon formacionin e paralajmëruar, me Bruno Ditën në vend të të pezulluarit Nimaga.

KRONIKA

90’+1 Gavazaj pranë golit, me një gjuajtje të bukur me të majtën nga jashtë zone. Portieri vendas eviton golin dhe devijon në këndore.

84′ Vangjeli gjendet i vetëm në zonë dhe nga një pozicion i mirë godet jashtë. Rast i mirë për korçarët, ritmi i lojës ka rënë.

82′ Goditje dënimi për Dinamon, Shehi grushton bukur.

68′ Futet Aliti, del Jashanica, i dëmtuar që në pjesën e parë.

65′ PENALLTI DINAMO, SHËNON MBOKANI NGA PIKA E BARDHË. Gabon Mici, që shkakton faull në zonë. Mbokani godet dhe Shehi prek, por nuk e eviton golin.

57′ Karton i verdhë Vangjeli. Vazhdon presioni i madh ukrainas.

50′ GOL DINAMO! Furtunë ukrainase dhe kalojmë në konfuzion. Gonzalez hedh një top në zonë, aty Moraesh është i pambuluar dhe shtyn topin në rrjetë.

47′ BARAZON DINAMO. Kapiteni Sergej Sidorçuk lëshon një predhë nga jashtë zone dhe barazim!

NIS PJESA E DYTË Dinamo e Kievit bën zëvendësim, del Harmash, futet Moraesh.

45’+1 MBYLLET PJESA E PARË Skënderbeu e mbyll në avantazh në Kiev, 1-0, me supergol të Muzakës në minutën e 39-të. Mesfushori zhbllokoi një ndeshje që nisi shumë mirë për tanët, por pas minutës 30 Dinamo ushtroi presion të madh dhe humbi disa raste për shënim. Skënderbeu rezistoi me qetësi të admirueshme dhe goditi kur iu dha rasti!

42-43′ Mbokani na fut në krizë. Fillimisht për pak devijon në portë një kros, por sinjalizohet off-side. Më vonë shmanget bukur jashtë zone, gjuan fort, por jashtë për pak centimetra. Afrikani është i papërmbajtshëm.

41′ Faull në mesfushë ndaj Mbokanit. Karton i verdhë për Muzakën.

39′ GOL MUZAKA! Supergol, me gjuajtje nga distanca. Fantastik MUZAKA!

35′ Derlei Gonzalez brenda zone, godet fort, superpritje nga Shehi! Dinamo po dominon prej disa minutash!

31-32′ Skënderbeu luan me zjarrin, sepse fillimisht aplikon gabim pozicionin jashtë loje dhe rrezikon të dhurojë një penallti gjatë aksionit, ndërsa më pas Mbokani kapet off-side, por vendim fatlum për Skënderbeun, sepse pozicioni jashtë loje ishte milimetrik, nëse ishte.

28′ Dinamo e Kievit shumë pranë golit. Kros në zonë nga një goditje dënimi, Vida i vetëm në zonë godet me kokë dhe jashtë, për fatin e Shehit. Gafë e mbrojtjes korçare!

23′ Karton i verdhë për Derlei Gonzalez. Faull ndaj Vangjelit në mesfushë.

16′ Tani rrezikon Dinamo: Tsigankov godet nga distanca, paksa jashtë. Rrezikoi mbrojtja e Skënderbeut, pasi la shumë hapësira. Skënderbeu nuk po luan në mbrojtje, kjo është për t’ veçuar! Në tribunë është edhe legjenda e Dinamos së Kievit dhe Milanit, Andrij Shevçenko, tashmë trajner i kombëtares ukrainase.

14′ Këmbëngul Skënderbeu, Sabien Lilaj tenton nga distanca, duke goditur pak mbi traversë, por i fut të dridhurat portierit vendas. Tifozeria vendase nis të humbasë durimin!

13′ I mrekullueshëm Soue! Sulmuesi avancon drejt zonës, me një kombinim të bukur del i lirë jashtë zone dhe gjuan me të majtën, por paksa jashtë.

12′ Vida avancon nga mesfusha, mbrojtja në konfuzion dhe Shehi largon keq, duke e çuar topin në këndore, që nuk prodhon asgjë.

9′ Pas një fillimi mjaft të qetë, Xhejms Adeniji tenton me një gjuajtje nga jashtë zone, por jashtë.

19.00 KA NISUR NDESHJA

DINAMO KIEV – SKËNDERBEU      3-1

Shënues: Sidorçuk 47′, Moraesh 49′, Mbokani 65′ pen. / Muzaka 39′

Dinamo Kiev: Koval, Vida, Kaçeridi, Kadar, Pivariç, Sidorçuk, Bujalski, Tsigankov (Morozjuk 70′), Garmash (Moraesh 46′), Derlis Gonzalez (Gusev 82′), Mbokani
Trajner: Aleksandër Khaskeviç

Skënderbeu: Shehi, Vangjeli, Radas, Jashanica (Aliti 68′), Mici, Osmani (Gavazaj 60′), Muzaka, Lilaj, Dita, Xhejms Adeniji (Sahiti 76′), Soue
Trajner: Ilir Daja

Kartonë të verdhë: Derlei Gonzalez 23′, Bujalski 72′ / Muzaka 41′, Vangjeli 57′, Mici 64′, Radas 89′

Gjyqtar: Bart Vertenten (Belgjikë)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *