Dilema për formacionin, Laçi gati

Laçi është gati për ndeshjen me Vllazninë, ndërkohë ditën e djeshme bardhezinjtë janë përgatitur në stadium, në mënyrë që të përshtaten me kushtet në të cilat do të ndeshin në stadiumin “Loro Boriçi” të qytetit të Shkodrës. Skuadra ka marrë udhëzimet e fundit nga trajneri Gentian Mezani dhe ndalimi i Partizanit në Lushnjë i motivon ata për të kërkuar tre pikët, që do i ngjisnin kurbinasit në vendin e katërt në klasifikim. Ky pozicion do të kërkohet me ngulm nga bardhezinjtë deri në fund të sezonit, pasi do të siguronin automatikisht pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Pas barazimit të fundit me Kukësin në shtëpi, që erdhi pas një lojë të mirë të laçianëve, ka shumë optimizëm. Dje Laçi ka punuar në aspektin taktik më së shumti, pa u ngarkuar në aspektin fizik. Në fund janë aplikuar edhe disa goditje standarde, si në aspektin sulmues, ashtu edhe në aspektin mbrojtës.

SITUATA

Trajneri Gentian Mezani në masën më të madhe ka vendosur se si do të luajë kundër Vllaznisë, por ka dilemat e tij, që do t’i shuajë para takimit të sotëm, që nis prej orës 16:00. Dy ditët e fundit Uzuni ka qenë nën vëzhgimin e mjekësve, ndërkohë që rikthehet të jetë gati Ndriçim Shtubina, për të cilin është paguar gjoba prej 1 milion lekësh, pasi ishte dënuar nga Disiplina me dy takime dhe njërin e shleu, çka i ka krijuar mundësinë ta konvertojë dënimin. Braziliani Maikon Eskerda mungon në Shkodër, ndërkohë që mbetet për t’u parë se si do të luajë skuadra në linjën e djathtë të mesfushës.

 

Formacioni i mundshëm 4-3-2-1

Laçi

Selmani

Fangaj     Qaqi       Gjoni      Sefgjini

Jonuzi

Lushkja    Kallaku

Nika                            Uzuni

Rexhinaldo

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *