Dilema e Tiranës: Kë të shesë e kë të mbajë?

0

 

Merkato e Tiranës ka dilema të mëdha, pasi drejtuesve të klubit u duhet të përcaktojnë se cilët do të jenë ata futbollistë që do të largohen, qoftë duke arritur një marrëveshje, qoftë duke u shitur. Pavarësisht se bilanci financiar është shumë i rëndësishëm, Tirana kërkon të mos humbasë shumë edhe në aspektin pozitiv. Mervejl, Doka, Hoxhallari e Akua janë ata që kanë oferta të rëndësishme, por te bardheblutë duan të jenë të matur, pasi e dinë se nëse do kenë edhe pak durim, atëherë edhe ofertat për ta do të jenë edhe më të mira. Realitet është fakti se presidenti Halili ka shumë dilema brenda vetes, por që do mundohet t’u gjejë përgjigjen e duhur, në mënyrë që Tiranë të vijojë në rrugë të mbarë.

RUBEN AKUA

Mesfushori ganez ka mbushur 20 vjeç në muajin nëntor dhe bëhet fjalë për një futbollist të fortë fizikisht dhe të aftë për të ndërprerë aksionet e kundërshtarit. Në kampionatin e shkuar ai erdhi te Tirana dhe luajti në 24 takime, 16 prej tyre si titullar. Akua ka luajtur edhe pesë ndeshje në Kupë dhe paraqitjet e tij kanë qenë të mira. Por, ndeshjet ndërkombëtare janë “vitrina” më e mirë për t’u shitur. Të enjten, në përballjen që Tirana humbi me Makabin e Tel Avivit, në tribunën kryesore kishte shumë skautë e menaxherë, të cilët e kanë pëlqyer mesfushorin. Burime të “Sport Ekspres” bëjnë me dije se një klub izraelit ka shprehur interesimin e tij për Akua, madje ka parashtruar edhe një ofertë prej 150 mijë eurosh. Një ofertë në dukje e mirë, por më parë te Tirana duhet të përcaktojnë se kush nga lojtarët do të shitet. Nëse për një vit Akua vlen 150 mijë euro, sa do të vlejë më vonë? Kjo është ajo dilema e madhe që i zmbraps drejtuesit e bardhebluve për momentin.

MERVEJL

Emra pa fund ekipesh, nga Rusia në Francë dhe nga Italia në Kroaci. Shumë e duan 19-vjeçarin që me shikim të parë arrin ta kuptosh që është një element cilësor që shumë shpejt pritet që të luajë në një kampionat të fortë. Skuadra e fundit që e kërkon atë është Osijeku, skuadra kroate që këtë verë transferoi Eros Grezdën nga Lokomotiva e Zagrebit, ndërkohë që një vit më parë pat afruar edhe sulmuesin Muzafer Ejupi, i cili ka veshur për pak kohë fanellën e Skënderbeut. Osijeku ka bërë edhe një ofertë zyrtare, por te Tirana mendojnë se do të vijë një ofertë më e mirë për të. Kujtojmë që RNK Split bleu disa vite më parë Sokol Cikalleshin për 100 mijë euro te Kukësi dhe më pas e shiti për 1.7 milionë euro. Sigurisht nga Superiorja është e vështirë të bësh transferime me shifra të tilla, por edhe klubet tashmë nuk duan më që t’i falin talentet e tyre. Ngutja për ta shitur Mervejlin është fakti që Tirana  vitin tjetër luan në Kategorinë e Parë, ndaj këtë verë me shumë mundësi ai do të kalojë në një kampionat tjetër.

HOXHALLARI-DOKA

Dy lojtarët e linjës kanë gjithashtu kërkesa të rëndësishme nga jashtë vendit. Për mbrojtësin e majtë ka oferta nga Kroacia, ndërkohë që për Dokën veç interesit të Hajdukut të Splitit, edhe nga Zvicra po e shikojnë me kujdes. Cilësitë e të dy lojtarëve nuk vihen në dyshim, ndërkohë që klubi ashtu si për të tjerët pret ofertën e duhur.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here