Dilema e gardianit titullar të PSG, Tuhel komenton situatën

Tomas Tuhel ka një detyrë të komplikuar sa i përket zgjedhjes së portierit titullar të PSG. Trajneri gjerman është i bindur, që alternimi konstruktiv midis Bufon dhe Areolës është mënyra e duhur. 25-vjeçarit i skadon kontrata në verën e ardhshme dhe po shijon një formë të mirë sportive.

Ai ishte titullar në ndeshjet e Francës përballë Gjermanisë dhe Holandës dhe zhvilloi paraqitje të mira. Nga ana tjetër është Xhixhi Bufon, i cili pavarësisht 40 viteve mbi supe, ofron siguri dhe eksperiencë. Në një prononcim për “RmcSport”, Tuhel komenton mbi rivalitetin mes dy gardianëve, duke shpjeguar teorinë e tij.

“Kam bërë një zgjedhje, që nuk është përfundimtare. I thashë Areolës që sipas mendimit tim, ai është në ‘pole position” për vendin e titullarit. Ai është një produkt i klubit, PSG për të është gjithçka dhe ai dëshiron të konfirmohet në ekip. Është një situatë, që kërkon respekt dhe duhet të kapitalizohet. Duhet të ndihemi krenar, që kemi lojtarë të tillë, të cilët shpirtin e PSG dhe mishërojnë klubin”

“Ndryshon situata sa i përket Bufonit. Xhixhi është i pranishëm në çdo pjesë tonën, komunikon me lojtarët dhe përpiqet t’i ndihmojë, gjë që të bën të kuptosh se pse është më i miri dhe ka zhvilluar një karrierë të tillë. Bufon është një legjendë dhe idhulli i Areolës. Të dy kanë personalitet të fortë dhe duhet ta menaxhojmë mirë situatën. Ata e dinë se nëse tregohemi inteligjentë dhe bujarë me të dy, jam i sigurtë që do të shpërblehemi. Jam i sigurtë që Areola nuk do të jetë më i aftë se Bufon, por falë Bufon”, përfundon trajneri gjerman i PSG.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *