Dikur tallej dhe poshtëronte John Stones, sulmuesi i Port Vale i shënon para syve dhe mban fjalën

Tom Pope, një emër pak i njohur për botën e futbollit, por shumë për mediat. Në vitin e shkuar nëpërmjet një reagimi do të merrte vëmendjen e të gjithëve, teksa shprehej: “Sapo kam shikuar rastet më të mira nga ndeshja e Kombëtares së Anglisë. E di që jam lojtar i Ligës së Dytë. Unë e di që John Stones luan për Anglinë dhe paguhet 150 mijë funte në javë. E di që ai është lojtarë më i mirë se unë, por nëse do të luaja kundër John Stones çdo javë, unë do të shënoja 40 gola në sezon”.

Shumëkush ka qeshur me këtë deklaratë, por Tom Pope e ka mbajtur fjalën disi, për të treguar veten në përballjen e parë direkte me John Stones. Në minutën e 35 do të barazonte shifrat duke kaluar mbrojtësin në fjalë, megjithëse kjo nuk do të mjaftonte pasi Manchester City fitoi me rezultatin 4-1 ndaj Port Vales. Por kaq duhej që në shumë prej mediave angleze, të kthehej edhe historia e vjetër e Tom Popes. Në fund të fundit, një duel personal arriti ta fitonte… /Sport Ekspres/