Diktaturë dhe formalitete, pse veprojnë kështu klubet shqiptare?

Përgjithësisht ne shqiptarëve nuk na pëlqen të na i vënë në dukje gabimet. Askush nuk ka dëshirë të dëgjojë për të “këqijat” e tij. Gjithsesi dikush do ta shohë realitetin në sy dhe do mundohet t’i vërë në dukje ato gjëra që nuk shkojnë. Në futbollin shqiptar janë të shumta ato gjërat që duhen ndryshuar.

Për disa gjëra duhen vite, kurse për disa të tjera duhet vetëm vullnet i mirë. Të vjen keq që disa gjëra të vogla nuk ndryshojnë. E keni vënë re, klubet tona kanë nisur t’i kushtojnë rëndësi imazhit. Video e foto të ndryshme nga seancat stërvitore, prezantime nga më të ndryshmet.

Tirana dhe Kukësi po vijnë me video të arrira të prezantimeve dhe është diçka pozitive, por nuk mund të mos ua themi që po bëjnë një gabim të madh me “foto-prezantimet”. Po vijnë lojtarë të shumtë dhe vetëm një “CV” e një video nuk mjafton që ata të njihen nga tifozët.

https://www.facebook.com/partizaniclub/videos/880144428846621/

Kukësi ka bërë 12 afrime, Tirana më pak, ashtu sikurse edhe Partizani, Kukësi e Skënderbeu. Në Korçë disa prej të rinjve kanë folur, edhe pse pak. Në klubet e tjera askush nuk i njeh të afruarit. Kobinah te Tirana? “Kush është ky”, do të të pyesin me të drejtë tifozët e bardhebluve.

Te Partizani Stefan Nikoliç erdhi dhe iku pa u prezantuar para mediave. Askush nuk mundi t’ia merrte dy fjalë sulmuesit. Erdhi Hebaj: shkodrani foli, por duke iu përgjigjur pyetjeve (me përgjigje brenda) të zëdhënësit të shtypit. Mirë që u prezantua trajneri Gega…

Kjo metodë, duke mbajtur lojtarët larg mediave, nuk është më e mira. Mirëkuptohet heshtja për shtyp para ndeshjeve të rëndësishme, por të mos flasësh as tani në verë, të mos u jepet mundësia tifozëve të njihen me lojtarët që do mbrojnë fanellën e qytetit të tyre, nuk është normale. Shpresojmë të ndryshojë diçka e tillë, pasi në fakt është në dëmin e klubeve, që thjesht i thonë “jo” reklamimit pa para… /VLADIMIR PRENGA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *