“Digjet” vendi i dytë, Bregu ndal Flamurtarin

Dejvi Bregu i bëhet makth Flamurtarit. Talenti vlonjat shënon sërish kundër skuadrës së vendlindjes dhe i ka dhuruar një pikë të çmuar Luftëtarit, që po vuan në fundin e tabelës.

Përfundoi 1-1, në një ndeshje të bukur e me shumë raste për gol në Gjirokastër. Barazim i drejtë, duke parë ecurinë e takimit, por Flamurtari mund të duhej të kishte fituar, sepse shënoi në mesin e pjesës së parë me Zhufon dhe më pas krijoi lojë e raste, aq sa në pjesën e dytë gaboi shumë, përballë një Luftëtari krejt të çorientuar në prapavijë.

Një gabim i mbrojtjes vlonjate i lejoi Bregut të shënonte në minutën e 80-të, një gol i çmuar, që afron Luftëtarin me Vllazninë, ndërsa Flamurtari kap Kukësin në renditje, por nuk arrin të marrë vendin e dytë në renditje, duke regjistruar barazimin e shtatë sezonal.

Kategoria Superiore, Java 13

E hënë, 4 dhjetor 2017, ora 13.00, stadiumi “Luftëtari”

Luftëtari – Flamurtari           1-1

Shënues: Bregu 80′ / Zhufo 25′

Luftëtari: Ruçi, Toledo (Janku 60′), Zeqaj, Beqiri, Rapa, Aleksi, Ramadani, Rroca (Rapo 46′), Bregu, Abazaj, Lamçja (Përgjini 75′)

Trajner: Hasan Lika

Flamurtari: Nurkoviç, Liçaj (Hoxhaj 57′), Bicaj, Pollozhani, Jakovljeviç, Musta, Useini, Sidibe, Zhufo (Hyseni 88′), Danilo Alvesh (Kamara 83′), Bushiç

Trajner: Shpëtim Duro

Kartonë të verdhë: Aleksi 61′, Rapa 65′ / Zhufo 7′, Sidibe 54′, Useini 65′, Jakovljeviç 65′, Bicaj 90′

Gjyqtarë: Ardian Beqiri, Gernat Qirici, Ani Koçiaj, Emirion Sino

Delegat: Bujar Pregja; Vëzhgues: Sazan Velçani

EPISODET

17′ Sulm i shpejtë i Luftëtarit, Abazaj futet në zonë, shmang një mbrojtës dhe pason për Bregun. Vlonjati kalon topin te Rroca, i cili nga jashtë zone gjuan keq, disa metra mbi traversë. Rast i mirë për Luftëtarin, i pari i ndeshjes.

25′ GOL FLAMURTARI! Në aksionin e parë realisht të rrezikshëm, Flamurtari shënon. Disa pasime rresht, nga Musta te Bushiç, i cili uli bukur topin tek Useini. Ky i fundit me një takim çoi te Liçaj, i cili nga e djathta hodhi një kros perfekt në zonë, ku Zhufo qetësisht gjuajti dhe mposhti Ruçin, i cili nuk reagoi si duhej.

41′ Abazaj nga jashtë zone, gjuan fort dhe Nurkoviç devijon në këndore. Rrezikon Luftëtari.

43′ Luftëtari humbet rast të jashtëzakonshëm. Nurkoviç gabon në largimin e topit dhe e çon topin te Rroca, i cili avancon drejt zonës. Pollozhani me një ndërhyrje fantastike ia heq topin ngë këmbët, por e çon te Bregu, i cili gjuan fort, por devijon lehtësisht Bicaj në këndore. Dominim i Luftëtarit në minutat e fundit të pjesës së parë.

54′ Lamçja humbet tjetër rast ideal për Luftëtarin. Një rrëmujë në zonë, një mbrojtës devijon pa dashje te Lamçja, i cili është i vetëm përballë Nurkoviçit, por gjuan shumë dobët, duke e menduar veten në pozicion jashtë loje, ndoshta.

67′ Danilo Alvesh pranë golit. Një kros në zonë, Bushiç me kokë çon në qendër, ku Alvesh prek lehtë dhe çon topin drejt portës, por një mbrojtës largon në kohë pranë vijës fatale.

67′ Sërish Danilo Alvesh rrezikon, me një gjuajtje të fortë nga jashtë zone, por pret Ruçi.

72′ I pafat Useini! Mesfushori i Flamurtarit rrëmben një top jashtë zone dhe gjuan fort, por topi del ngjitur me kryqëzimin e shtyllës me traversën!

80′ GOL LUFTËTARI! Flamurtari gabon aplikimin e pozicionit jashtë loje dhe Dejvi Bregu del i vetëm me portierin, duke mos falur!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *