Dibranët e gdhijnë, festë me këngë e valle për ngjitjen në Superiore

0

 

 

Festa dibrane nisi me Himnin tonë Kombëtar dhe pastaj me Himnin e Korabit. Këngë, valle, muzikë e hare. Një ditë më parë dibranët kanë festuar bukur ngjitjen e skuadrës së futbollit në Kategorinë Superiore ku synojnë të lënë gjurmë!

 

Hasan PASHA

Mbi 1000 tifozë të Korabit janë tubuar në Pallatin e Sportit “Bashkim Lala” Peshkopi dhe kanë uruar njëri-tjetrin për suksesin e arritur pas më shumë se pesë dekadave. Futbollistë, drejtues të klubit, të skuadrës dhe sidomos tifo-grupi “Arbrit” dhe “Sokolat” kanë dëfryer për disa orë. Pas dy vjet mbështetje të ekipit të tyre, sidomos në transfertë, ky gëzim ishte i natyrshëm. Gjithçka është organizuar në mënyrë perfekte nga Bashkia e Dibrës dhe Klubi i Futbollit. Është menduar me kujdes për çdo detaj, për vlerësimin e çdo kontribuesi. Dëfrim e Luna Met’hasani kanë ngritur peshë të pranishmit duke evidentuar arritjet e Korabit të Peshkopisë. Sakaq skenografia ishte e menduar mirë dhe bukur. Ashtu si në stadiumin e Korabit tifozët kanë brohoritur dhe janë gëzuar për ngjitjen e skuadrës një kategori më lart. Sokol Muho, shefi i Klubit Korabi nënvizoi se ai dhe kolegët e tij kishin ftuar në këtë festë të veçantë ish-drejtues të klubit të futbollit, ish trajnerë, futbollistë që kanë derdhur djersë për skuadrën dibrane, drejtues të pushtetit lokal, përfaqësues të subjekteve të ndryshme politike, duke e bërë festën sa më popullore, sa më tradicionale.

ÇMIMET – Në fillim të ceremonisë titulli “Qytetar Nderi” për gazetarin Dëf’rim Met’hasani, për ndihmën dhe kontributin që ai ka dhënë për ekipin e vendlindjes. Kryetari i Bashkisë Et’hem Fida, shefi i klubit Sokol Muho, kryetari i Bashisë Kamëz, Xhelal Mziu etj, dhanë njëri pas tjetrit dekoratat dhe titujt e nderit për ekipin, futbollistët, donatorët, ish-drejtues të klubit dhe ekipit ndër vite. Jo pa emocion është pritur nga tifozët dhënia e “Mirënjohjes” për gazetarin Eduart Ilnica, i cili ditë më parë ra pre e dhunës anti-sportive. Ky titull iu akordua edhe dy biznesmenëve nga Dibra që banojnë në Amerikë, Selim Rusi dhe Naim Agolli. Dibranët nuk mund ta harrojnë bujarinë dhe mbështetjen e tyre për ekipin e Korabit. Tituj nderi për dy tifozeritë, tifo grupin “Arbërit” dhe “Sokolat” e Dibrës së Madhe, për mbështetjen e pakursyer që ato i kanë dhënë ekipit në çdo ndeshje, në Peshkopi dhe në qytetet e tjera ku janë luajtur ndeshjet e Grupit A, të Kategorisë së Parë. “Mirënjohje” akordoi Këshilli i Bashkisë Dibër edhe për donatorë të tjerë që ndihmuan financiarisht ekipin e Korabit.

PREMÇI – Jo pa emocion fjalën kryesore e mbajti Shemsi Premçi, koordinatori i donatorëve që ndihmuan me të gjitha forcat skuadrën e Korabit. Ai foli gjatë në lidhje me ecurinë e futbollit dibranë nga njëri sezon në tjetrin. Premçi përmendi me nostalgji rezultatet e arritura dhe futbollistë të njohur të Korabit. “Është derdhur mund e djersë e madhe për t’i dhënë emër futbollit dibranë. Në këtë festë të madhe duhet t’i falënderojmë të gjithë brezat që dhanë sa mundën për futbollin. Ajo që duhet të veçojmë është fakti se brenda tre viteve Korabi u ngjit dy kategori më lart. Një vit më parë i dhamë lamtumirën Kategorisë së Dytë. Ndërkohë këtë vit futbolli i Korabit njohu majat. Tani jemi në sofrën kryesore të këtij sporti burrëror”, nënvizoi Shemsi Premçi. Kryebashkiaku Fida dhe kryetari i këshillit bashkiak ftuan shefin e klubit Sokol Muho, trajnerin Dritan Mehmeti dhe ish[-trajnerin e sezonit të kaluar, Erblin Laçi dhe u dorëzuan titullin “Nderi i Dibrës” për skuadrën e futbollit. Organizatorët nuk kishin lënë pa ftuar figura të njohura të sportit, kulturës dhe politikës nga Kosova dhe Dibra e Madhe. Festa e ngjitjes së ekipit në Superiore vijoi në Kompleksin “Eiba” ku shumë të ftuar u argëtuan për disa orë.

FINANCAT – Megjithëse në një ditë feste dibranët kanë menduar që dje për sezonin e ardhshëm. Fillimisht donatorët dhe Bashkia Dibër kanë garantuar futbollistët dhe trajnerët se do t’u shlyhen të gjitha detyrimet financiare për sezonit që mbaroi, duke u dhënë mundësi disa prej futbollistëve të nënshkruajnë edhe për kampionatin e ardhshëm kontratë me Korabin.

korabi

korabi 3

korabi1

korabi2

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.