Dhunë, armë e ndeshje të ndërprera, FIFA gati të përjashtojë Greqinë

Ngjarjet në futbollin grek, që çuan te ndërprerja e përkohshme e kampionateve, kanë alarmuar edhe FIFA-n, që ka ngritur një komision monitorimi për situatën në vendin helen. Tani, pasi ka ndjekur me vëmendje zhvillimet dhe gjithashtu ka parë nga afër veprimet e federatës dhe shtetit grek, komisioni monitorues i ka bërë kërkesë FIFA-s që të përjashtojë Greqinë nga kompeticionet ndërkombëtare.

Herbert Hybel, kreu i komisionit monitorues, i ka dërguar një dokument FIFA-s, por edhe Federatës Greke kërkesën për pezullim të futbollit grek, pa asnjë kufizim në kohë dhe pa përmendur ndonjë përjashtim nga kërkesa për kombëtaren greke.

Vangjelis Gramenos, kreu i Federatës Greke, është munduar të justifikohet në lidhje me vonesat në marrjen e vendimeve për ndeshjet e ndërprera nga dhuna dhe pushtimi i fushës, duke nisur nga PAOK-Olimpiakos para disa javësh, por Hybel nuk i ka pranuar justifikimet.

Në dokumentin e tij Hybel ka përmendur futjen në fushë të presidentit të PAOK-ut Ivan Savidis, duke mbajtur një armë në brez në fund të ndeshjes kundër AEK-ut, përjashtimin e PAOK-ut nga ECA (Shoqata e Klubeve Europiane), pezullimin e kampionateve dhe kupës në Greqi, vonesat e vendimeve disiplinore dhe moszbatimi i rekomandimeve të komisionit monitorues nga Federata Greke.

“Duke marrë parasysh të gjitha këto, Komisioni Monitorues i bën thirrje FIFA-s që të pezullojë në mënyrë të menjëhershme Federatën Greke të Futbollit nga FIFA”, thuhet në dokument.

Komiteti i Federatave Anëtare të FIFA-s mblidhet në maj ose qershor, ndaj Federata Greke ka kohë deri atëherë të përmbushë gjithë kërkesat e Komisionit Monitorues, me Hybel që është treguar i drejtpërdrejtë, duke i kërkuar presidentit të Federatës Greke, Gramenos, që të nisë të qeverisë futbollin grek.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *