Dhjetë surprizat e Botërorit 2018

Kupa e Botës 2018 ka hyrë në fazën e nxehtë dhe tani të gjithë presin të mësojnë cilat do të jenë ekipet finaliste. Gjatë tre javëve të turneut në Rusi janë regjistruar shumë surpriza dhe ky është momenti të rikujtojmë disa prej tyre:

Goleada e Rusisë

Botërori nuk mund të niste në mënyrë më entuziazmuese, pas fitores 5-0 të Rusisë përballë Arabisë Saudite në ndeshjen inauguruese. Rezultat që i dha besim organizatorëve të turneut, të cilët nuk fitonin në arenën ndërkombëtare prej një viti.

Meksika shtangu Gjermaninë

Meksika u paraqit në Kupën e Botën mes shumë dyshimeve për forcën dhe kualitetin e ekipit. Aventura nisi me suksesin 1-0 ndaj Gjermanisë kampione në fuqi. Një prej rezultateve më të rëndësishëm në histori për “trikolorët”.

Islanda frenoi Argjentinën

Pas surprizës në Euro 2016, Islanda ishte një prej debutueseve në Kupën e Botës. “Vikingët” luajtën në ndeshjen e parë me Argjentinën e Lionel Mesit dhe kundër të gjitha parashikimeve barazuan 1-1.

Egjipti ra kundër Arabisë

Në ndeshjet e fundit në grupe, Arabia Saudite regjistroi një tjetër surprizë duke fituar ndaj Egjiptit. Suksesi i parë pas 24 viteve në turneun madhor.

Yjet në hije

Polonia dhe Egjipti ishin dy prej skuadrave që premtonin se mund ta bënin interesante Kupën e Botës, por u eliminuan në grupe. Polaku Levandovski dhe egjiptiani Salah ishin larg formës së shfaqur me klubet e tyre.

Lamtumirë kampionëve

Pas humbjes me Meksikën, Gjermania u mposht në mënyrë të pabesueshme 2-0 edhe nga Korja e Jugut në ndeshjen e fundit në Grupin F. “Pancerat” u kthyen në shtëpi mes turpit historik.

Mallkimi i Leo Mesit

Argjentina u paraqit në Rusi si një prej favoriteve për trofeun. Ky ishte një prej shanseve të fundit të yllit të Barcelonës për të fituar Kupën e Botës. Pas kualifikimit dramatik në grupe, eliminimi nga Franca në 1/8. Ishte një prej skuadrave më të dobta në historinë e “Albiçelestëve”.

Rusia eliminoi Spanjën

Kur menduam se pamë gjithçka, Rusia realizoi atë që dukej “mision i pamundur” dhe ktheu në shtëpi Spanjën, pas lotarisë së 11-metërshave në 1/8. Nuk ishte ecuri thjesht nga entuziazmi i momentit.

Edhe Nejmar largohet nga festa

Brazili ishte një prej ekipeve favorite për të fituar titullin dhe me këtë rast Nejmar kishte shansin të bëhej favorit për “Topin e Artë”. Belgjika e yjeve theu ëndrrën e “seleçaos”.

Goleadorët e turneut

Harri Kejn është padyshim lideri i Anglisë me gjashtë gola, i ndjekur nga Romelu Lukaku i Belgjikës me katër që ka ende shpresa. Në këtë kuotë janë edhe Kristiano Ronaldo e Denis Çerishev, tashmë të larguar nga turneu, ndërsa Kilian Mbape i Francës është në kuotën e tre golave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *