“Dhanë 38 mijë € për të na mundur”, vjen reagimi: Federata nuk është për pazare

Llapi mundi një ditë më parë Prishtinën, ekip që synon titullin kampion. Klubi nga Podujeva, pas fitores ka shpërthyer në akuza ndaj Federatës Kosovare të Futbollit dhe presidentit të saj Agim Ademi. Sot ka ardhur edhe reagimi i qeverisë së futbollit në Kosovë.

“Sot (dje) nuk e kemi mposhtur vetëm Prishtinën, por edhe Federatën e Futbollit të Kosovës, që i ka dhënë premio 38000 euro për ta mposhtur Llapin. Të premten, një ditë para ndeshjes, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi i pagoi FC Prishtinës premio në vlerë 38000€. Kjo nuk ndodh askund në botë, kjo është për hetuesi! Shtrohet pyetja për Komitetin ekzekutiv, a ka raste tjera kur ndodh e njëjta gjë dhe a ndodhin këto ndodhi me leje të tyre?”, ishte ky qëndrimi i Llapit, që zgjoi edhe Feroniklin, që gjithashtu akuzon.

Pamje nga ndeshja Llapi-Prishtina

SHPËRTHIMI I FERONIKELIT –  “Sipas raportimeve në faqen e FC Llapit, Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka ndarë plot 38,000 euro për Prishtinën, vetëm e vetëm që të mposhtë Llapin, në ndeshjen e së dielës, të cilën e humbi 1-0. Sipas kësaj, Ademi shihet se e dëshironte shumë fitoren e Prishtinës, pasi që ky çmim, nuk është aspak i vogël.

Shtrohet pyetja zotëri, Ademi, si mund të ja dalim ne si klub edhe kundër juve? Apo mos dëshironi që Feronikeli të luftojë i vetëm, kundër të gjithëve? Apo mos keni ambicie, që klubin më profesional që keni në Superligë, ta fundosni me marrëveshje “pas shpine”?

Një rast tjetër që ndodhi në ndeshjen mes Llapit dhe Prishtinës, është goditja me grusht që bën sulmuesi i Prishtinës, Basid Khalid, në Bujar Idrizin. Përkundër faktit që gjyqtari e kishte para syve ngjarjen, “ai nuk e pa”, e si pasojë as nuk e ndëshkoi. Normalisht që nuk ndëshkohet sulmuesi kryesor, i një klubi që adhurohet aq shumë nga Kryetari i FFK-së.

Po ashtu në ndeshjen KEK-u–Feronikeli, sulmuesit tanë Kastriot Rexhës i ndodhi një incident, kur portieri i Kekut i hidhet sipër duke e goditur në fyt, pasi që loja ishte ndalur, duke heshtur gjyqtari edhe në këtë rast, si për të kompletuar këtë xhiro kundër Feronikelit.

Presidenti i FFK, Agim Ademi

FC Prishtinës sigurisht se do t’i kryente punë shuma prej 38,000 eurove, pasi që ka plot tre muaj që nuk janë në rregull me paga ndaj futbollistëve. Por, në anën tjetër, ata këto financa i përdorin për të shpërblyer futbollistët e KEK-ut, në rast të një fitoreje ndaj Feronikelit, gjë që nuk i ndodhi as këtu.

Si ka mundësi që të gjithë janë kundër një ekipi kaq profesional si Feronikeli FC, një ekipi që i jep aq shumë IPKO Superligës së Kosovës dhe një ekipi që po krijon atmosferë të futbollit evropian, brenda kushteve ekonomike kosovare?

Sidoqoftë, pas gjithë kësaj rrëmuje, Feronikeli fiton te Keku, Llapi i merr tri pikë Prishtinës, e diferenca mes Feronikelit e Prishtinës është pesë pikë, sepse zotëri, Ademi, futbolli gjithmonë triumfon! Apo mos po kthehet FFK në FFP (Federata e Futbollit të Prishtinës)?”, shkruan Feronikeli në uebin zyrtar.

REAGIMI I FEDERATËS – Federata e Futbollit e Kosovës është thellësisht e befasuar dhe e habitur me shpifjen e publikuar, të shtunën në mbrëmje, në profilin zyrtar në ‘Facebook’ nga një klub me traditë siç është FC “Llapi” nga Podujeva. Ne, si FFK, kërkojmë nga kryesia e FC ‘Llapi’ që të distancohet dhe të bëjë kërkim falje për të pavërtetat e thëna dhe akuzat e turpshme në profilin zyrtar të klubit në ‘Facebook’ ndaj presidentit Agim Ademi dhe KE të FFK-së.

FFK–ja gjithmonë ka qenë, është dhe do të jetë e njëjtë dhe e drejtë për të gjitha klubet dhe do t’i ndihmojë ato njësoj e në mënyrë të barabartë për aq mundësi sa ka dhe aq mjete sa u takojnë nga kontrata e sponsorizimit me IPKO-n dhe nga të drejtat televizive, por asnjëherë nuk do të privilegjoj asnjë klub dhe kurrë nuk do të ketë ndihma apo premio dhe para që nuk u takojnë.

Shuma që përmendet në tekstin e FC “Llapi” është e pakuptimtë, tendencioze dhe qëllimkeqe. FFK-ja do të jetë gjithmonë përkrah klubeve dhe do të jetë maksimalisht transparente në çdo aspekt, është e hapur dhe i respekton edhe mendimet ndryshe, por asnjëherë nuk do t’i tolerojë shpifjet e tilla ndaj askujt. Prandaj, të gjithë duhet të kenë kujdes dhe përgjegjësi për fjalën publike dhe për të pavërtetat.

Deklarata e FC”Llapi” është tejet e ultë dhe shpifëse, por fatkeqësisht ky është niveli në të cilin gjendemi. Federata nuk është për të bërë pazare, por për të organizuar gara dhe për të pasur drejtësi për të gjitha klubet.

Ndaj të gjithë atyre që do të mundohen të bëjnë pazare, FFK-ja do të jetë e pakompromis dhe do t’i luftojë me këmbëngulësi me të gjitha mjetet, ashtu sikur çdo padrejtësi dhe parregullsi tjetër që mund të shfaqet në futbollin tonë.

Presidenti Ademi dhe organet e tjera të FFK-së janë zotuar që do ta nxjerrin gjithmonë më të mirën prej futbollit dhe se do të fitojë gjithmonë ai që është më i miri. FFK-ja do të ketë zero tolerancë për çdo klub dhe çdo njeri, i cili mundohet ta njollosë futbollin e Kosovës në këtë periudhë kur FFK-ja po etablohet në FIFA e UEFA si Federatë shumë serioze, aktive dhe me strategji të zhvillimit dhe kur e gjithë Evropa na e ka lakmi për organizimin dhe sukseset e arritura.

Kushdo që ka qëllime të këqija dhe mundohet që me shpifje të tilla ta hutojë opinionin, ju themi se nuk do t’ia dalin dhe nuk do t’ju realizohen skenarët sepse Federata do të ecë gjithmonë në hapa të sigurt dhe do të respektoj rregulloret për klubet në mënyrë të drejtë dhe të barabartë pa privilegj për asnjë klub.

Puna me përkushtim, me qëllim të zhvillimit të futbollit, për një cilësi, rivalitet e frymë sportive, paanësi dhe lartësim të vlerave të lojës magjike, është përgjigja që do ta kenë të gjithë ata që në një apo tjetër mënyrë orvaten të shpifin e ta ‘helmojnë’ opinionin me të pavërteta.

KE i FFK-së është duke i ndihmuar klubet e të gjitha rangjeve garuese dhe shkollat e futbollit nëpërmjet projekteve të shumta në infrastrukturë, pajisje sportive dhe mënyra tjera. KE i FFK-së dhe presidenti Ademi janë afër klubeve pa dallim, si asnjëherë më parë, e nuk do t’i lënë ato të ndihen të anashkaluara në asnjë rrethanë. Me respekt, Federata e Futbollit e Kosovës

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *