Devolli tregon mrekullinë Kamza: Ja si e ndërtuam sezonin e rekordit

0

Gjergji Stefa

Kamza kryeson bindshëm grupin A në Kategorinë e Parë, ndërkohë që në krye të skuadrës ështw Bledar Devolli, i cili prej sezonit të shkuar së bashku me presidentin Naim Qarri e kreun e bashkisë Xhelal Mziu, nisën ndërtimin e Kamzës së rekordeve, të cilën trajneri Devolli e ka “zbërthyer” në intervistën e dhënë për “Sport Ekspres”.

14 fitore, një barazim dhe një humbje në kampionat. Tani për ata që nuk janë shumë të informuar, kush ju ka mundur?

Erzeni në Shijak. Atë ditë shkoi gjithçka keq. Ishte ndeshja e fundit e vitit 2016. Jam mërzitur shumë atë ditë. I kisha vënë si objektiv vetes që këtë kampionat ta mbyllnim pa asnjë humbje.

Megjithatë jeni 10 pikë nga vendi i dytë dhe normalisht Superioren duhet ta keni vënë në kasafortë?

Jo ende shpejt për të folur. Në fund të kësaj faze do luhet një faze e tretë “play-off” mes 5 skuadrave më të mira me sistem vajtje-ardhje dhe pikët në atë moment përgjysmohen. Pra, teorikisht jemi 10 pikë para, ndërsa praktikisht pesë më tepër, plus që kemi dhe dy ndeshje të tjera direkte me Besëlidhjen.

Kjo lloj formule duket se nuk ju favorizon?

Varet nga këndvështrimi. Sigurisht që nëse flasim sot, në këto kushte them që nuk na favorizon, pasi ne tani do ishim pothuaj të dalë, por nga ana tjetër nuk garantoj dot që nëse nuk do ishte presioni i “play-off”-it ne do kishim 14 fitore në kampionat. Kjo lloj skeme i mban të gjithë të motivuar dhe e ka rritur ndjeshëm konkurrencën dhe Kategorinë e Parë. Të gjithë janë në garë për diçka. Kur kujtoj atë që ndodhi një sezon më parë, më duhet ta pranoj se përmirësimi i nivelit ka qenë i ndjeshëm.

Çfarë ndodhi një vit më parë?

Ajo që në Shqipëri, por ndoshta dhe në vende të tjera, është e pashmangshme. Skuadra që dalin nga objektivat dhe për muaj të tërë fillojnë dhe nuk impenjohen sa duhet, në ndonjë rast se s’kanë motiv e ndonjë rast se duke qenë në një ambient të vogël, kanë simpatitë dhe antipatitë e tyre.

Ju u bëtë trajner i Kamzës në janar të vitit të shkuar, praktikisht në mes të sezonit, me një skuadër të dëshpëruar pa asnjë premtim momental. Pse e bëtë një gjë të tillë?

Njeriu në jetë në përgjithësi duhet të punojë, pavarësisht më pas se ku punon dhe çfarë bën. Kisha kohë pa punuar dhe ndjeja nevojën të vishja tutat. Sigurisht që ishte një moment delikat. Ato gjashtë muaj nuk luanim për asgjë, kishim siguruar mbijetesën dhe nuk pretendonim për të qenë në Superiore. Më shumë se sa puna në fushë, ato muaj më shërbyen që së bashku me presidentin dhe titullarët e Bashkisë të krijonim strategjinë për edicionin që jemi tani. Seleksionuam lojtarët, fiksuam disa prej tyre dhe filluam menjëherë bisedat me të tjerët.

A ndërhyn presidenti në punët e skuadrës?

Kam njohur dhe kam punuar me shumë presidentë, megjithatë më duhet të pranoj që Qarri nuk ndërhyn. Nuk diskutohet që gjërat në parim diskutohen në grup, por asnjëherë deri më sot nuk më ka ndikuar në punën time. Është paqësor dhe madje shpesh jemi dhe miq, përveçse raport president-trajner. Dua ta falënderoj publikisht, sepse më dha në dorë në një moment të vështirë, jo vetëm për karrierën, por dhe jetën time.

Sa është buxheti sezonal?

Nuk kemi bërë çmenduria financiare. Diku te 200 milionë lekë në vit rroga shpenzohen. Ka shumë ekipe të tjerë që harxhojnë aty-aty, por ne më shumë se sa lekët kemi zgjedhur lojtarët e duhur për të përballuar sezonin.

Si i bindët disa prej lojtarëve që kanë luajtur në Superiore të jenë pjesë e juaja?

Unë dhe presidenti, por sidomos ai, kemi punuar shumë në këtë drejtim. Qarri prej vitesh e njeh ambientin e futbollit, teksa ka qenë me Kamzën edhe më parë në Superiore. Shumicën e lojtarëve i ka miq dhe kemi përfituar nga rrethanat. Dikush kish kohë i dëmtuar, dikush kish humbur besimin, dikë nuk e preferonte më kush. Kamza ishte një mundësi e mirë kolektive për shumë futbollistë për të treguar se sa vlejnë.

Kështu ndodhi me emra si Morina, Sefa dhe Ferra?

Edhe me të tjerë. Patjetër që Morina është rasti më klasik. Ai futbollist mund të luajë kudo në Superiore, por unë të gjithë i konsideroj një. Kemi një skuadër shumë të mirë.

Cili është roli i bashkisë në këtë iniciativë?

Shumë pozitiv. Nga bisedat me presidentin më ka thënë që mbështetja e tyre është maksimale në të gjithë drejtimet. Më së fundi palët kanë gjetur gjuhën e bashkëpunimit dhe ky është tregues i qartë i faktit që po ecim mirë. Shpresojmë të bëjmë një ndërhyrje dhe në tapet, që të jemi gati për edicionin e ardhshëm.

Ndërkohë nuk luani në fushën tuaj?

Është bërë shumë problematike për mënyrën se si luajmë ne futboll.

Kush janë pikat tuaja më të forta?

Mënyra se si luajmë. Futbolli ynë është i shtruar, jo ai tipiku me topa të gjatë drejt një sulmuesi të vetëm. Kemi shpërndarje golash dhe luajmë një futboll të mirë. Kemi marrë dhe komplimentet e presidentëve dhe trajnerëve të Superiores për diçka të tillë.

Thonë që sulmuesi Rezi është një zbulim…

Është nga lojtarët më interesantë në qarkullim. Ka që vitin e shkuar tek Erzeni, atëherë ishte një zbulim, tani është si gjithë të tjerët në skuadër.

Kush janë rivalët tuaj?

Besëlidhja. Këtë skuadër e kemi mundur në Lezhë dhe kemi barazuar në Krujë. Ata janë rivali ynë.

Kaq e madhe është diferenca me ta?

Rezultatet gjykojini vetë. Madje dhe në aspektin e lojës mendoj se luajmë më mirë se ata. Megjithatë në thelb them që po bëhet një garë shumë më interesante.

Nëse skuadra juaj do ishte në Superiore, në çfarë vendi do pozicionohej?

Besoj në 5 skuadrat më të mira. Të gjithë do t’i hidhnin sytë nga ne, për këtë ju siguroj.

Meqenëse jemi te Superiorja, cili mendoni se është trajneri më i mirë i kampionatit?

Personalisht kam pasur gjithnjë simpati për Starovën. Kam punuar me të dhe si futbollist dhe si ndihmës trajner.

A keni një model për trajnerët e huaj?

Guardiola, Konte dhe Simeone. Më pëlqejnë trajnerët që lënë shenjën e tyre në mënyrën si luan skuadra, pavarësisht lojtarëve që kanë. Më pëlqejnë ekipet ku lojtarët përshtaten me trajnerin dhe jo anasjelltas.

Kë shihni kandidat për të fituar Superioren?

Nuk e parashikoj dot. Mendoj që dhe Kukësi, dhe Skënderbeu dhe Partizani kanë pasur momentet e tyre “jo” dhe nuk mund të thuash se kush dominon më shumë.

Jashtë fushës njiheni si një nga ata jashtë kornizave?

E dini ç’doni të thoni. Unë mundohem ta shijoj jetën, të kem miq dhe të argëtohem. Secili ka stilin e tij të punuarit dhe të jetesës. Në përgjithësi jam shumë i kënaqur si po më shkojnë gjërat dhe jashtë jetës futbollistike. Jam duke kaluar një moment të mirë.

Sikur të bërtisnit pak më pak kur jeni në pankinë?

E di dhe këtë. Shumë njerëz më thonë që jam shumë impulsiv, por ndoshta këtu stadiumet janë bosh, prandaj dëgjohet shumë trajneri. Nuk mendon se Simeone apo Konte janë më të qetë? Bëj shaka, ky është stili im dhe patjetër, që kam shumë emocione gjatë ndeshjes.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image