Devolli: Ndeshja e jetës, s’më interesojnë statistikat!

Kastrioti ka një mision të vështirë nesër, edhe pse me Laçin luhet në një stadium të boshatisur. Krutanët ishin pushim fundjavën e shkuar dhe kanë pasur kohë mjaftueshëm për ta përgatitur sfidën me kurbinasit. Tashmë Kastrioti është gati dhe vlerësimi për kundërshtarin është maksimal.

“Këto dy javë na kanë mjaftuar për të përgatitur ndeshjen. Kemi rikuperuar disa lojtarë. E dimë që na pret një ndeshje e vështirë. Laçi është ekip i fortë në shtëpi, ka një trajner të mirë”, tha mes të tjerash për RTSH Sport gjirokastriti.

Kamerunasi Edi Bojom, i cili ka punuar veçmas gjatë kësaj jave, do të luajë kundër Laçit dhe Devolli e konfirmon diçka të tillë: “Bojom do jetë gati, e kemi lënë vetë veçmas. Do sakrifikojë, pasi është shumë i rëndësishëm për ne. Shpresoj të jenë të gjithë në rregull dhe ta kalojmë me sukses atë ndeshje”.

Për Devollin dhe Kastriotin sfida me Laçin ka një rëndësi shumë të madhe: “Kjo është ndeshja e jetës, mund të them, për ne. Çdo rezultat tjetër veç fitores na e vështirëson shumë. Kam besim te djemtë, nëse bëjmë ato që bëjmë edhe në stërvitje, mund ta kalojmë me sukses”.

Në Laç Kastrioti nuk njeh rezultate pozitive, por kjo nuk ka shumë rëndësi për Devollin: “Nuk më interesojnë statistikat. Më intereson ekipi, që të bëjmë gjërat mirë në të dyja fazat. Nëse i bëjmë ashtu si kemi punuar, atëherë mund t’ia dalim”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *