Devolli kërkon suksesin e parë: Tifozë, kemi nevojë për ju!

Pasi ka bërë një debutim të shkëlqyer në krye të Tomorit duke fituar në një transfertë të vështirë si ajo e Pogradecit, tashmë tekniku i njohur gjirokastrit Bledar Devolli, ka hedhur sytë nga takimi i radhës që beratasit do të luajnë ditën e diel në shtëpi përballë Besës së Kavajës. Dhe në një prononcim për Sport Ekspres ditën e premte pas seancës stërvitore kryepankina e Tomorit është shprehur.

DEVOLLI – “Gjatë gjithë kësaj jave kemi punuar jashtëzakonisht me një ritëm të lartë dhe ngarkesë të plotë dhe për këtë më duhet të falënderoj të gjithë futbollistët që më janë përgjigjur në mënyrë shumë profesionale. Besoj se kemi sistemuar disa mangësi për të cilat isha shprehur pas ndeshjes në Pogradec dhe ishte shumë e domosdoshme përpara ndeshjes me Besën këtë javë.

“Nuk dua ta fshehim aspak objektivin tonë në këtë përballje, pasi me gjithë respektin maksimal për skuadrën kavajase, ne jemi përgatitur dhe do ta fitojmë këtë përballje. Unë dua që së bashku me çunat të fitojmë pastër me lojë dhe rezultat, është ndeshja ime e parë në Berat dhe dua të prezantohem me fitore. Vetëm se sportdashësve të mrekullueshëm beratas, dua që të vijnë dhe të na mbështesin fort ditën e diel, sepse skuadra ka nevojë për mbështetjen e tyre, dhe fitorja do të jetë një dhuratë edhe për mbështetësit tanë”, ka mbyllur tekniku i Tomorit Devolli.

Edi Spahiu

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *