Detyra? Sikur ta kryenin të gjithë! Superiorja i gëzohet ndarjes së barabartë të rrogës “së luftës”

Nga Klaudio Ndreca

Shqipëria futet padyshim në ato vënde të vetme në rajon ku sporti mbeti jetim nga ana e shtetit. Si të ishim në nivelin e San Marinos apo edhe më poshtë që nuk përbën interes, çdo hap përpara i hedhur me suksese në Europë me kalime turesh si te Kukësi dhe që u perfeksionua me Skënderbeun, çdo investim i ri në fusha që u perfeksionua me “Air Albanian”, do të hidhej poshtë.

Jo më kot thonë, për të ndërtuar mund të duhen vite e vite të gjitha, ndërsa për t’u shkatërruar…mjafton një sekondë e vetme. E vetëm ta imagjinoni sesi mund të katandisej futbolli shqiptar nëse lojtarët nuk do të paguheshin sadopak për t’u vlerësuar edhe në këtë kohë krize, kur kanë nevojë edhe më tepër, me justifikimin: “Lojë me top është, ka njerëz që po vuajnë edhe më shumë. Nuk bëhet nami dhe pa të”.

Por duke harruar se futbolli nuk është vetëm Kristiano Ronaldo dhe Lionel Mesi, e në rastin tonë futbolli nuk është vetëm Superiore. Ka njerëz që në kategoritë më të ulëta i kanë jetike paratë për të mbajtur familjet e tyre, pasi kjo është një punë që njihet me kohë të plotë dhe jo pasion me kohë të pjesshme.

Në çdo vend ka pasur një ndihmë nga shteti, por kjo nuk u mendua të bëhej në Shqipëri, pavarësisht se tatimet derdhen në shtet, megjithëse sipas kryeministrit Rama nuk janë ato që ai do të dëshironin të ishin realisht.

Një tjetër çështje kjo për t’u diskutuar. Por teksa qeveria po hedh paketën e dytë për të vazhduar me ndihmat për shtresat e tjera, Federata e ka nxjerrë sinjalin e shpëtimit për futbollin. Me 1 milionë euro të vënë në dizpozicion dhe me të gjithë futbollistët, zyrtarët dhe trajnerët e futbollit që do të marrin një pagesë prej 30 mijë lekësh të reja.

Por në krahasim me ato paketat e ndërtuara nga qeveria, në futboll ka vend për të gjithë. Pasi nëse marrim për një moment përbazë mënyrën e ndarë nga shteti paketën e ndihmesës dhe e fusim në futboll, ka një prespektivë për një ndarje me shtresa, që faktikisht sjell edhe më shumë pabarazi dhe “hile”.

Pra për ta nisur fillimisht me një paketë ndihmese me shtresën më të prekur, në kategoritë e ulëta dhe për ata që kanë më shumë nevojë. Pastaj mund të diskutohej edhe ndihma për Superioren, në një moment të dytë, kur ndoshta gjithë pandemia të kishte mbaruar. Kështu elita e futbollit tonë mund të dilte pa asnjë lloj ndihmese nga e gjitha kjo, me një praktikë që është aktualisht duke u zbatuar me fushat e tjera në Shqipëri.

Ajo që u mendua dhe që rezulton si zgjedhja më e mirë, është një fond i barabartë për të gjithë. Iniciativa e FSHF-së për të rregulluar vetë problemet e shtëpisë kur sheh braktisjen nga shteti, është për t’u përgëzuar. E sa për të tjerë persona që e shohin si një detyrë normale që duhej të mbyllej dhe asgjë të çuditshme, duhet theksuar se sikur të gjithë njerëzit me poste të larta të kryenin detyrat e tyre si duhet në vendin tonë, nuk do të mbërrinim deri në pikën kur kjo ndihmesë shihet si zgjidhja e vetme. Kurrsesi nuk duhej të përfundonim deri këtu… /Sport Ekspres/