Detajet/ Teqja u hodh nga pallati pas sherrit me të dashurën, pemët dhe tendët i shpëtuan jetën

Portieri i Partizanit, Aldo Teqja, vazhdon të jetë në spital për problemet serioze shëndetësore, megithëse mjekët njoftojnë se tashmë rreziku për jetën ka kaluar. Lojtari është hedhur ditën e djeshme nga kati i 6 i pallatit në Tiranë, por fatmirësisht kjo nuk ka rezultuar në dëmtime të organeve të tij jetësore, që mund t’i kushtonin edhe jetën.

Arsyeja fillestare e këtij incidenti ka qenë gjendja e rënduar psikologjike e futbollistit, ndërsa tashmë janë zbardhur edhe detaje të reja. Portieri i të kuqve është kthyer në shtëpi pas ndeshjes që klubi i tij zhvilloi me Teutën dhe mësohet se ka qenë pranë banesës së tij në “Komunën e Parisit” së bashku me partneren.

Pas një debati të zhvilluar me të, ka shkuar i vetëm në apartamentin e tij dhe aty ka ardhur edhe hedhja. Ndërkohë e dashura e ka parë të gjithë skenën nga poshtë pallatit. Fatmirësisht, tendat e pallatit dhe pemët kanë penguar një goditje fatale që do t’i kushtonte shumë Aldo Teqjës. /Sport Ekspres/