Detajet nga Sport Ekspres/ Ftesa e Shqipërisë për Florian Kamberin, ka vetëm një dyshim

Florian Kamberi ka zgjedhur Shqipërinë dhe do të jetë pjesë e kuqezinjëve. Kjo raportohet nga “Sporti në RTV Dukagjini”, sa i përket mbërritjes së një futbollisti të ri në organikën e Kombëtares. Në fakt kjo nuk është një histori e re.

Dashuria mes Shqipërisë dhe Florian Kamberit ka qenë shumë e hershme. Potenciali i sulmuesit që aktualisht është 24-vjeç është vënë re gjithmonë, pasi ishte një tip lojtari ndryshe dh që i mungonte kuqezinjve. Jo vetëm me finalizime të sakta, por edhe me aftësi dribluese për të zgjidhur ndeshjen.

Stafi i Shqipërisë e ka kontaktuar prej vitesh Kamberin, por dëshirat e sulmuesit ishin disi kaotike dhe jo shumë të qarta. Fillimisht u kërkua që të luhej me Zvicrën, ndërsa ka arritur atje të përfaqësojë vetëm helvetët të grupmoshës U-21, ku në 4 ndeshje gjeti 1 gol.

Në këtë sezon të ri me Hibernian në Skoci, ka realizuar 6 herë në 15 ndeshje, së fundmi edhe ndaj gjigandëve të Cëltic. “Kosova është shtet vëllazëror me Shqipërinë, për mua është njësoj”, do të shprehej së fundmi vetë futbollisti.

Ndërkohë “Sport Ekspres” konfirmon edhe njëherë se ftesa tashmë ka mbërritur te Kamberi. Dëshira e drejtuesve të Shqipërisë është që të merret që në muajin nëntor ndaj Andorrës dhe Francës. Por këtu ka vetëm një dyshim që lidhet me çështjen e dokumentacionit. Pra mbetet të shihet nëse Kamberi do të vijë që në nëntor, apo pjesa e letrave do ta shtyjë për në vitin e ardhshëm. /Sport Ekspres/