Dështon transferimi i Hamshik, Napoli nuk ua fal pabesinë kinezëve

Largimi i Marek Hamshik nga Napoli dukej vetëm çështje orësh, por transferimi drejt Superligës kineze ka dështuar në momentin e fundit. Shkak për këtë është bërë një devijim nga marrëveshja i bërë në momentet e fundit nga ana e drejtuesve të klubit kinez Dalian Jifang.

Ka qenë vetë klubi napolitan që ka sqaruar se pala kineze prezantoi një kontratë të re, në të cilën ishin ndryshuar kushtet e pagesës së shumës prej 24 milionë eurosh që kërkonte Napoli (nëntë milion ishin në formë bonusesh).

Sipas medieve italiane, pala kineze ka kërkuar që ta paguajë shumën me këste me anë të një marrëveshje huazimi me detyrim blerje, ndërsa klubi i Napolit ka qenë i prerë në kërkesën e tyre për depozitimin e menjëhershëm të parave.

Mbetet për t’u parë se si do të jetë reagimi i lojtarit pas këtyre ngjarjeve të orëve të fundit. Duhet përmendur se sllovaku kishte dhënë “dritën jeshile” për transferimin, pasi kërkesat e tij financiare ishin plotësuar krejtësisht.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *