Dështimi i Kategorisë së Dytë, aty ku të gjithë tallen me njëri-tjetrin

0

Si mund të bëhet çorap një kampionat në Shqipëri? E thjeshtë, hapni dyert për të gjithë, mos vendosni asnjë kriter, mos rrëzoni askënd nga kategoria dhe nis spektakli.

Kategoria e Dytë shqiptare është shembulli më i qartë pse kampionatet nuk duhet të kenë më shumë se 10-12 ekipe dhe pse duhen zbatuar rregulla shumë strikte.

Na falni që krahasohemi me Gjermaninë, por kështu na ka thënë një politikan i njohur, që jemi afër Gjermanisë për nga zhvillimi: vitin e shkuar 1860 Mynih, klub legjendar në Gjermani, zbriti në futbollin amator për shkak se refuzoi të paguante licencën për t’u regjistruar në kampionatin e Ligës 3. Bëhet fjalë për shifra të mëdha, qindra e mijëra euro, jo si në Shqipëri, ku ka klube që me zor paguajnë edhe 100 mijë lek në vit.

FSHF u ka bërë nder të gjithëve, aq shumë ndere ka bërë, saqë nuk ka asnjë klub gojë të flasë realisht e të ankohet: pyesni Këlcyrën, që me siguri ka qeshur kur ka lexuar për dhunën në Vlorë këto ditë dhe ndonjë lojtar do ketë thënë: “Po ik o Sinan, ku di ti si rrihen arbitrat!”.

Pamje të zakonshme në Kategorinë e Dytë, aty ku ndoshta vetëm Usain Bolt arrin t’i shpëtojë turmës që e përzë nga pas, kur jep ndonjë faull gabim në mesfushë!

Për pasojë, shohim 28 ekipe në Kategorinë e Dytë, ku vetëm Elbasani, Orikumi, Albpetroli, Vora, Veleçiku e Klosi kane qenë seriozë nga fillimi deri në fund dhe kanë luftuar burrërisht për vendet e para.

Të tjerët? Një dopio raki e dy qofte para ndeshjeve dhe rezultate si ai djeshmi, Skrapari-Delvina 6-5, ku Kristiano Ronaldo luajti 45 minutat e para në El Clasico dhe 45 minutat e dyta në Skrapar, me emrin Dritan Mehmeti (nuk e kemi personale me këtë zotërinë, se po i përmendim emrin, por është thjesht rastësi, fenomeni është shumë i gjerë).

Klosi nuk ka stadium, ndaj ndeshjet shtëpiake i luan në Burrel. Nuk është risi, shumë klube luajnë nëpër fusha asnjanëse, duke mos plotësuar asnjë kriter licencimi, sepse nuk kanë as stadiume, as fusha, as financa e shpesh as ekipe moshash

Në teori Domosdova bie nga kategoria, ashtu si Mamurrasi, që nuk ekziston më si ekip, por me letra është alamet klubi i organizuar. A do bjerë Domosdova? A jeni të sigurt që krejt papritur Mamurrasi nuk do kthehet fuqishëm në Kategorinë e Dytë sezonin e ardhshëm, pas pak muajsh pushim se kështu iu tek bosit të fshatit? A ka ekipe të hajrit Kategoria e Tretë, që një zot e di ku luhet e pse luhet, sepse as FSHF nuk e ka idenë çfarë bëhet, mjafton të shohësh faqen zyrtare dhe sheh ende ndeshjet e prillit 2017 dhe Spartakun e Klosin në garë të fortë për t’u ngjitur në Kategorinë e Dytë, aty ku në fakt janë tani.

Pyetja e thjeshtë është: Pse nuk krijohen dy grupe me nga 8 ekipe, duke luajtur 4 faza (28 javë në total), me ngjitje dhe zbritje nga kategoria (fituesi ngjitet, vendi i dytë në play-off dhe njësoj edhe në fundin e tabelës)? Kështu edhe gara bëhet serioze, sepse pastrohet kampionati nga ekipet që luajnë sa për të shënuar emrin, edhe Kategoria e Tretë bëhet e vërtetë, me klube që vërtet kanë mundësi dhe duan të luajnë futboll, edhe pse amator.

Përgjigjen le ta japin kokat e futbollit shqiptar. Ne nuk dimë ta japim, por për sa kohë vazhdohet kështu, është turp që shkruajmë në gazeta për ndeshje si ajo në Skrapar, apo si shumë të tjera edhe në Kategorinë e Parë, ku ka disa javë që futbollistët janë kthyer në kllounë që të bëjnë për të qarë.

Blerim Jahaj

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.