Deshamp “fal” Koshielnin: Ka qenë i dërrmuar psikologjikisht

0

Laurent Koshielni pësoi një dëmtim të rëndë në gjysmëfinalen e sezonit të kaluar në Europa Ligë kundër Atletiko Madrid. Mbrojtësi i Arsenalit u detyrua të humbiste pjesëmarrjen në Botërin e Rusisë dhe një gjë e tillë e ka “shkatërruar” psikologjikisht.

Gjatë ditës së djeshme, 33-vjeçari u shpreh se fitimi i Kupës së Botës nga Franca e tij, i ka shkaktuar më shumë probleme psikologjike se dëmtimi i tij. Koshielni arrin deri aty sa pohon se, në disa raste, ka shpresuar që Franca të humbiste dhe të eliminohej.

Didier Deshamp ka folur për një gjë të tillë në konferencën për shtyp përpara ndeshjes kundër Gjermanisë, duke treguar të vërtetën e mbrojtësit të tij. Trajneri i kombëtares franceze ka mbetur i habitur nga deklaratat e lojtarit, por dëshiron të ulë gjakrat. Deshamp thekson se e kupton gjendjen shpirtërore të Koshielnit, për të cilin ka konsideratë si lojtar, por edhe njeri.

Mbeta i befasuar, sepse të gjithë anëtarët e stafit të kombëtares i kanë dërguar mesazhe mbështetje lojtarit. E kam telefonuar pas dëmtimit të tij, diskutova me të zgjedhjen e kirurgut dhe e ftova të vinte me ne në fazën e përgatitjeve përpara Botërorit. Po flasim për një lojtar, i cili është i “plagosur” nga fakti që nuk mori pjesë në Kupën e Botës, kështu që e kuptoj zhgënjimin e tij. Nga shtatori nuk kam folur me të, por ka kaluar vetëm një muaj. Nuk e ndryshoj mendimin tim për Lolon (pseudonimi i Koshielnit) si futbollist, por dhe si njeri. Disa i lejojnë vetës ta gjykojnë pa e ditur situatën. Kur nuk e di, preferoj të qëndroj në heshtje“, përfundon trajneri i “Gjelave”.

 

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.