Dervishi: Moxhi dhe Starova kanë rrënuar Partizanin. Me Sinan Idrizin dilja kampion

0

Ish-drejtori Dritan Dervishi: Isha afër rikthimit, por ata penguan ardhjen time. 80-vjeçari dhe Preiti shohin vetëm rrogën. Rama duhet të punojë i qetë

Ka nisur të flasë radhë, por kur merr vendimin për ta bërë, kryqëzo gishtat të jesh media që ke fatin ta marrësh. Ish-drejtori i Partizanit dhe Kukësit, Dritan Dervishi, dha një intervistë të gjatë për gazetën duke folur pa doreza në lidhje me situatën e kampionatit shqiptar, Partizanit dhe ekipeve të tjera.
Në pak pyetje tregoi arsyen se pse nuk u afrua me të kuqtë, por vuri gishtin mbi plagë edhe në disa çështje mjaft delikate për futbollin shqiptar, nga kampionati i të rinjve te merkatoja e orientuar drejt vendeve afrikane.

– Dervishi, u përfolët për një rikthim të mundshëm te Partizani gjatë dhjetorit. Si është e vërteta?

– Kthimi im te Partizani ishte i mundshëm, madje mund të them se isha shumë pranë këtij rikthimi. Nga informacionet që kam, Moxhi nuk donte kthimin tim aty, pasi ardhja ime do të largonte Drejtorin Sportiv, Antonelo Preitin.

– Diçka më konkrete, pasi nuk jemi të qartë…

– Kisha një kontakt të vazhdueshëm me Drejtorin e Përgjithshëm, Olsi Ramën, filluam një bashkëpunim të mirë për merkaton, por Moxhi me pëlqimin e Starovës nuk pranuan kthimin tim. Unë shihem si një problem për këtë grup njerëzish. Kanë të drejtë, pasi unë eci me kokën lart dhe jo duke mashtruar, kur kam gabime mbaj përgjegjësitë vetë nuk e delegoj te të tjerët.

– Çfarë mendoni për emërimin e Ramës si Drejtor?

– Olsi ka pasionin dhe inteligjencën për ta bërë këtë rol. Mendoj se është lëvizja më e mirë e presidentit Gaz Demi, por ai duhet të përkrahet dhe të lejohet të bëjë punën e tij dhe jo të ketë Moxhin dhe Preitin nëpër këmbë.

– Si ju duket merkatoja e Partizanit, afrimet e bëra?

– Nuk më pëlqeu fare merkatoja e Partizanit, por mendoj se Rama nuk mund të bënte më shumë se kaq. Prisja 3 afrimet e bujshme nga Seria A që premtoi Luçiano Moxhi dhe Preiti, por si gjithmonë dëgjova vetëm fjalë të bukura në kuadrin e përrallave. Pak puna nga ana e tyre, por nuk ka rëndësi shumë kjo pjesë për ta, pasi mjafton të marrin rrogën e majme nga familja Demi. Atyre nuk ua ndjen për klubin e kuq dhe pasionin që kanë tifozët e Partizanit, këtij klubi të madh. Te Partizani është Moxhi që bllokon gjithçka është një problem i madh aty, pasi ka një kontratë të shtrenjtë dhe afatgjatë. Kur të largohet ai, atëherë mund të flasim për një reformë të vërtetë.

– Si i komentoni largimet e janarit?

– Mendoj se largimi i Realdo Filit dhe Xhevahir Sukajt ishin të gabuara. Fili kishte nevojë për ndihmë, por te Partizani nuk kishte kush të ia jepte. Aty nuk ka staf teknik që të mendojë për djemtë.

– Ku mendoni se çalon Partizani?

– Çalon nga ana psikologjike, pasi lojtarët nuk janë të qetë. Nuk ka njeri që i dëgjon dhe i motivon. Po përdoret rruga e dënimeve dhe e justifikimeve. Nuk ka një njeri që i dëgjon dhe krijon klimën pozitive në skuadër.

– Starova, një “rival” i juaji vazhdon të jetë trajner. A ishte i drejtë vendimi i klubit për ta mbajtur deri në fund?
Personat që duheshin larguar për të filluar një epokë të re ishte largimi i drejtuesve që kanë zënë rrënjë aty. I pari që nuk duhej afruar ishte Starova, pasi nuk ka se çfarë jep më për Partizanin së bashku me drejtuesit e tjerë që kanë një jetë aty. Duhen lënë Drejtori Rama të punojë së bashku me njerëzit e tij, të aplikojë idetë e veta dhe të përzgjedhë stafin që do.
– Në ekip kanë ndodhur disa përplasje, rasti i Trashit dhe Filit. Një koment…

– Kam ndjekur me interes përplasjet që kanë ndodhur në ekip. Fillimisht ishte Trashi me trajnerin, më pas edhe Fili me Starovën. Përplasje të tilla nuk i bëjnë mirë skuadrës dhe prishin atmosferën. Dy humbjet me Flamurtarin e treguan mjaft mirë këtë gjë. Mendoj se Starova…

– Pse dilni gjithmonë te trajneri aktual i Partizanit?

– Koha e Starovës ka mbaruar që në 1994. As vetë nuk e kuptoj si mund të punojnë në këtë klub këta njerëz me gjithë dëmet financiare morale që i kanë sjellë presidentit dhe klubit. Partizani po largohet nga tifozët e tij, pavarësisht se ata janë forca e klubit. Ky është gabim i pafalshëm që do të ketë pasoja për “demat”.
– E lëmë këtë temë, si e parashikoni Superioren pas merkatos së janarit?

– Mendoj se do të jetë një kampionat i pëlqyeshëm. Shoh ekipi me kualitet dhe me parametra të mira fizike, besoj se kjo vjen edhe nga faza përgatitore që zhvilluan skuadrat në Turqi. Më pëlqen që klubet tona po drejtohen drejt profesionalizimit dhe i japin mundësi trajnerëve të punojnë të qetë.

– Po për merkaton e Superiores në përgjithësi, çfarë mendimi keni?

– Mua nuk më pëlqen kjo merkato, pasi lojtarët merren pa kriter nga tregu i huaj. Nuk e kuptoj pse nuk shohin nga tregu shqiptar dhe pse nuk investohet në ekipet zinxhirë. Futbolli shqiptar do të dështojë nëse nuk investohet te ekipet e moshave. Ekipe si Kukësi, apo Partizani nuk kanë një fushë për moshat dhe vazhdojnë të marrin lojtarë nga 10 deri në 20 mijë euro në muaj. Nuk ka strategji sportive, t’u kërkosh drejtorëve për ndonjë lojtarë nga ekipet e moshave nuk dinë një emër. Këshilla ime është të shohin nga moshat dhe jo të mbushin ekipet me lojtarë afrikanë që i zënë vendin futbollistëve shqiptarë. Tregu jonë mund të furnizohet nga Kosova dhe Maqedonia, boll me eksperimente për t’i vjedhur presidentëve ndonjë komision.

– Flamurtari mori një lojtar të Lacios, e njihni? Mendoni se vlonjatet mund të fitojnë kampionatin?

– Tunkara është lojtar cilësor, por jo një futbollist që mund të ndryshojë krejtësisht fatin e kampionatit. Besoj që Skënderbeu do ta fitojë kampionatin. Duro ka punuar mirë si trajner, por të mos harrojmë që Idrizi ka investuar shumë këto vite. Të kisha një president që më jep aq shumë investime besoj se do të dilja kampion. (Qesh)

– Skënderbeu ka marrë Abazajn, mund të marrë edhe Bregun…

– Bravo Skënderbeut dhe turp për ekipet e tjera që nuk kishin sy për t’i parë që vjet. Te Kukësi doja të merrja Bregun, pasi më pëlqente, por Gjoka më ndaloi për këtë operacion.

– Kur mund t’iu shohim sërish në Superiore?

– Jam mirë te Hellas Verona, por në futboll nuk i dihet, unë jam i dashuruar me vendin tim dhe Superioren, po më erdhi një projekt serioz  do ta mendoj dhe me qetësi do të vendos. E vështirë është, pasi aty nuk duan Drejtorë Sportivë dhe stafe që punojnë 24 orë, aty kërkojnë kamerierë dhe sekser, por unë se bëj dot atë punë.
– E fundit, çfarë mendoni për zgjedhjet e FSHF-së?
– Uroj që në zgjedhjet për presidentin e FSHF-së të mos ketë parregullsi dhe mos të ketë ndërhyrje nga politika. Unë dëshiroj të fitojë presidenti aktual Armand Duka, pasi duhet të vazhdojë me reformat që ka nisur. Nuk mund të eksperimentojmë në këto zgjedhje. Futbolli është gjë serioze, jo tortë që ta ndajë politika. Duhet falënderuar Kryeministri që ka mbajtur qëndrim korrekt.

 

 

 

 

 

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.