Dermaku dhe Ismajli, tani nuk ka më kthim pas

Kastriot Dermaku dhe Ardian Ismajli janë përfolur shumë në javët e fundit, pasi preferuan që të vishnin ngjyrat kuqezi dhe jo të vijonin kontributin e tyre me skuadrën e Kosovës. Dermaku u grumbullua nga Shaland, por nuk luajti asnjë minutë, duke ju krijuar e drejta për të kaluar te Shqipëria. Ismajli ka zhvilluar vetëm një ndeshje me skuadrën e parë të Kosovës, pikërisht në miqësoren kundër Shqipërisë, por duke qenë se nuk kishte asnjë minutë në një ndeshje zyrtare po ashtu kishte të drejtë të ndryshonte përfaqësuese.

Si Dermaku ashtu dhe Ismajli zbritën në fushë ditën e djeshme dhe tashmë janë përfundimisht lojtarë të Shqipërisë. Nëse ndonjëri prej tyre mund të pendohet në të ardhmen, nuk do të ketë më asnjë mundësi që të ndryshojë përfaqësuese. Ismajli u fut që në pjesën e parë duke zënë vendin e Kaçes, për të plotësuar vendin e lënë bosh nga dalja e Mavrajt. Në fraksionin e dytë ishte radha e Dermakut që të vishte për të parën herë fanellën kuqezi, me 26-vjeçarin që hyri në fushë në minutën e 52-të, pasi Gjimshiti la fushën e lojës i dëmtuar.

Debutim në ndeshjen e gabuar, pasi në një takim ku e gjithë skuadra bën një paraqitje skandaloze, vështirë të veçosh ndonjërin prej tyre, pasi teorikisht i justifikon fakti se është vetëm ndeshja e parë. Panuçi më herët ka “vulosur” dhe zgjedhjen e Enea Mihajt, i cili u aktivizua vetëm pak sekonda në takimin e parë me skocezët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *