Dërgoi “spiun” te kundërshtari, Bielsa: Do e bëja sërish!

Trajneri i Lids Junajtid, Marselo Bielsa është një figurë shumë e njohur në botën e futbollit, pasi deklaratat e tij të sinqerta dhe të drejtpërdrejta, si dhe reagimet e tij të ashpra ndaj bashkëpunëtorëve të stafit të tij, shpeshherë bëjnë xhiron e botës nëpër media.

Edhe dje, Bielsa mori vëmendje shumë të madhe, pasi pranoi se ka dërguar një person që të studiojë stërvitjen e rivalit ndaj të cilit luajtën dje, Derbi Kauntrit që drejtohet nga Frenk Lampard.

“Spiuni” i dërguar nga Bielsa fillimisht nuk pranoi asgjë, por në momentin që policia erdhi në seancën stërvitore të Derbit, personi u detyrua të tregojë dhe tha se e ka dërguar Bielsa. Edhe vetëm “El Loco” e pranoi këtë gjë menjëherë pas ndeshjes:

“Nuk po përpiqem të justifikoj asgjë,” tha fillimisht Bielsa. “Unë e kam shpjeguar se nuk jam një person që mashtron dhe arrin te qëllimi që ka në forma të gabuara.

“Gjithsesi, unë do të pranoj çdo sanksion që klubi dhe çdo sanksion që Federata Angleze do të marrë kundër meje, si dhe do të pranoj cilindo opinion që klubi i Derbi Kauntri ka krijuar ndaj meje.

“Nëse isha fëmijë, do të thosha se nuk do ta bëja përsëri, por nuk do të ndihesha mirë duke iu përgjigjur kështu, pasi nuk është e vërtetë. Do e bëj sërish!”,- u shpreh Bielsa.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *