Derbi, sa ndryshime në dy muaj!

0

Sa shpejt ndryshojnë gjërat në futboll: pak ndeshje dhe e sheh veten në krizë, ose e kundërta. Dy muaj më parë luhej derbi i fundit i kryeqytetit, ishin më shumë se 7000 tifozë të pranishëm në “Selman Stërmasi”, për të ndjekur një derbi që nisi në mënyrë të përkryer dhe eci mbarë deri në mesin e pjesës së dytë, pak a shumë si sezoni i Tiranës. Përfundoi 0-0 dhe u luajt në dytë, sepse një problem në sistemin e ndriçimit bëri që derbi të ndërpritej dhe minutat e mbetura të luheshin pasditen pasardhëse. Duket sikur ka kaluar një shekull, por edhe në minutat e luajtura një ditë më pas, me dyer të hapura për tifozët, nuk e regjistrua asnjë incident mes tifozerive dhe u luajt një derbi i bukur në fushë e në tribuna. Megjithatë, që atëherë gjithçka ka ndryshuar, sidomos te Tirana.

TIRANA – Bardheblutë humbën në Vlorë dhe njëkohësisht filluan të humbnin një nga një titullarët, për dëmtime të ndryshme. Barazimi kundër Korabit në Tiranë ishte një zhgënjim kolosal, pasuar nga humbja në Korçë ndaj Skënderbeut, por viti u mbyll me 4 pikë në dy ndeshje dhe u duk se situata ishte nën kontroll. Vetëm një iluzion, sepse përtej serisë së gjatë të dëmtimeve, që shkatërruan çdo plan të trajnerit Mirel Josa, erdhën në vitin e ri disa “stuhi”, ku natyrisht më e madhja është acarja me tifozët, pas aprovimit që Partizani të luante ndeshjet shtëpiake në “Selman Stërmasi”. E patolerueshme skena e shëmtuar që u pa në “Skënder Halili”, ku një grup tifozësh vunë në rresht lojtarët dhe pati edhe përplasje fizike. Ndërkohë, si për “garniturë”, erdhën lajme të kobshme, sepse ndërkohë që klubi largonte si të panevojshëm disa lojtarë, askush nuk u kujtua që FIFA kishte dënuar klubin bardheblu të mos kryente afrime në janar, për mosrespektimin e afateve për shlyerjen e një borxhi nga sezoni i shkuar. Në krahasim me derbin e dhjetorit, Tirana nuk ka më Karabecin e dëmtuar rëndë, por edhe prania e Gentian Muçës në qendër të mbrojtjes është në dyshim të madh.

PARTIZANI – Ndërkaq, Partizani nuk ka pasur probleme të tilla: klubi është i qetë, komandohet “me dorë të fortë” nga presidenti Gaz Demi dhe nuk ka telashet e Tiranës, që është e ndarë mes Bashkisë e Refik Halilit. Stadiumin arriti ta marrë, edhe pse nuk kuptohet pse u ngulmua kaq shumë tani dhe jo verën e shkuar, ndërsa ambiciet për titull janë të mëdha dhe të justifikuara. Megjithatë,  merkatoja e janarit, “e pompuar” si shtysa finale drejt titullit, duket se ka qenë një blof, të paktën deri tani. Sukaj është ende i dëmtuar, Bonifejs deri tani nuk e ka kompletuar aspak sulmin, ndërsa Çetkoviç e ka të vështirë të gjejë veten në një formacion që deri në dhjetor kuptohej symbyllur. Në 3 ndeshje në janar Starova i ka provuar të gjitha skemat dhe lojtarët, por vetëm një fitore ndaj Vllaznisë, me shumë fat, konfirmon problemet e të kuqve, që duket sikur po humbasin edhe lojtarë që dukeshin garanci, ose të paktën kishin të ardhme shumë premtuese, si Fili e Bardhi. Në Durrës ishin në stol Krasniqi, Ibrahimi e Ramadani, titullarë në derbin e dhjetorit dhe në përgjithësi të shkëlqyer gjatë pjesës së parë të sezonit. Ndoshta ka ardhur koha që Starova të kthehet te… derbi i fundit.

 

DERBI I FUNDIT (1-2 dhjetor 2016)

TIRANA-PARTIZANI 0-0

TIRANA: Lika, Hoxhallari, Muça, Teqja, Kërçiku, Akuah (Muzaka 78’), Karabeci, Taku, Moise, Mervej, Sise

PARTIZANI: Alban Hoxha, Kalari, Atanda, Ibrahimi, Vila, Trashi, Batha (Bardhi 63’), Ramadani, Torasa, Ekuban

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image