Derbi më i rëndësishëm, Franca e Belgjika luajnë sfidën e historisë

Më 28 qershor 1986 Franca e Belgjika përballeshin në finalen e ngushëllimit, atë për vendin e tretë në Botërorin ’86. Të dyja vinin nga humbje dëshpëruese kundër Gjermanisë Perëndimore dhe Argjentinës përkatësisht, ndaj finalja për vendin e tretë dukej pa asnjë vlerë.

Megjithatë, deri më sot, ajo është përballja më e rëndësishme në historinë mes Francës e Belgjikës, fqinjë që në futboll rallë kanë qenë njëkohësisht në nivele të larta.

Deri më sot: mbrëmjen e sotme Franca e Belgjika luajnë ndeshjen më të madhe në histori mes tyre. Në lojë finalja e madhe, në lojë dominimi i botës, nëse arrihet suksesi final.

Skuadra me cilësi të pabesueshme sidomos në sulm, por me Francën që ka një mbrojtje të hekurt dhe me Belgjikën që po dhurojnë spektakël në sulm: po sot, çfarë do të shohim?

YLLI – Nuk do të shkëlqejë një lojtar i vetëm, kjo është e sigurt, duke parë sa shumë talente janë në fushë, por sytë janë te Kilian Mbape: e krahasojnë me Pelen, apo pse jo me Tieri Henrinë, por duhet të tregojë sa vlen në dy ndeshjet e mëdha, për të fituar trofeun dhe ndoshta Topin e Artë.

“ARMIKU” – Kampion bote e Europe me Francën, Tieri Henri tashmë është në stafin drejtues të Belgjikës. Do të jetë përballë ish-shokut të skuadrës Deshamp, i cili synon të bëhet i treti kampion bote si futbollist dhe trajner, pas Zagallos dhe Bekenbauerit.

SI REAGON FRANCA? – Belgjika i ka provuar të gjitha, ka qenë edhe në disavantazh, i është dashur edhe të mbrojë avantazhin ndaj një ekipi të madh si Brazili, duke kontrolluar gjithçka. Franca e ka pasur më të thjeshtë, vetëm kundër Argjentinës kaloi në disavantazh për pak minuta. Duhet parë si do reagojë Franca nën presion.

DUEL NË DISTANCË – Ka qenë edhe Botërori i portierëve, sepse disa kanë bërë gafa të mëdha, ndërsa disa janë kthyer në heronj për ekipet përkatës. Loris e Kurtua, çuditërisht, kanë pasur një sezon identik në Angli dhe po ashtu po ecin njësoj në Botëror, sepse janë treguar perfektë kur u është kërkuar: Loris ndaj Uruguait dhe Kurtua ndaj Brazilit. Po tani?

DUELI – Kanté është motori i Francës, De Brujne është fantazia dhe klasi i Belgjikës: i pari do duhet të ndalë të dytin të lidhet me Eden Hazardin dhe Lukakun. Kush do fitojë?

SFIDA NË STOL – Roberto Martinez është një maniak i taktikës dhe ka gjetur ekuilibrat e duhur me 4-3-2-1 te Belgjika, ndërsa Deshamp studion shumë kundërshtarët, duke përgatitur dosje për çdo rival falë stafit të zgjeruar. Në këtë moment Martinez është më i vlerësuar mediatikisht.

ARMËT E FSHEHTA – Mbape ka shënuar, Grizman po ashtu, por pritet të shpërthejë Olivier Zhiru, i cili bën gjithçka shumë mirë në fushë, por ende nuk po gjen golin që do e çlironte. Ndërkaq, Naser Çadli duket i rilindur në kombëtare, sot do të ketë detyrën delikate të zëvendësojë të pezulluarin Munier në mbrojtje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *