Derbi i Romës, Cana në dyshim

0

Lorik Cana rrezikon derbin e qytetit të përjetshëm. Mbrojtësi shqiptar i Lazio-s është në dyshim për sfidën Roma-Lazio që do të luhet të dielën në orën 15:00. Shkak për mungesën e mundshme të tij mund të bëhet dëmtimi që kapiteni i Kombëtares Shqiptare pësoi në sekondat e fundit të pjesës së parë të sfidës kundër Sampdoria-s. Pas ndërhyrjes ndaj brazilianit Eder, ai u ndëshkua me karton të verdhë. Pas hyrjes në dhomat e zhvjeshjes situata nuk u duk alarmante por me rikthimin e skuadrës në fushë, Cana nuk doli nga tuneli për shkak të një dëmtimi në ijë dhe trajneri Stefano Pioli e zëvendësoi me belgun Cavanda.

Sipas mediave italiane, gjendja e 31-vjeçarit është shqetësuese por ende nuk dihet me saktësi nëse do t’ia dalë për të qenë i gatshëm në sfidën më të rëndësishme të sezonit për skuadrën bardhekaltër. Dëmtimi i Cana-s është një telash më shumë për trajnerin Pioli, i cili nuk ka në dispozicion as Gentilettin, Cianin e Braafheid. Në rast mungese të mbrojtësit shqiptar, vendin e tij në qendër të mbrojtjes do ta zejë rumuni Radu. Gjithsesi, një përgjigje zyrtare trajneri do ta marrë nga stafi mjekësor sepse shpresat nuk janë shuar për ta parë kapitenin kuqezi në një prej ndeshjeve më të forta të sezonit. / Super Sport

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.