Derbi i dytë, Dinamo ua merr dorën bardhebluve

0

Pasi mundën skuadrën e Ze Marias, dje të besuarit e Allmuçës i dhanë “leksion” edhe Tiranës B

Fatos Dalipi

Dinamo dhe Tirana B luajtën një miqësore e cila u zhvillua mesditën e djeshme. Skuadra blu, në këtë ndeshje u paraqit mirë dhe fitoi me rezultatin 0-3. Blutë e trajnerit Igli Allmuça, me afrimet që kanë realizuar së fundmi kanë treguar se do të jenë një ekip me pretendime në garë edhe pse luajnë në Grupin e Veriut, ku ka shumë konkurrencë. Skuadra e Allmuçës, pasi mundi Tiranën e Ze Marias disa ditë më parë, dje i ka dhënë leksion në fushë edhe skuadrës së Tiranës B që merr pjesë në Kategorinë e Dytë. Duhet theksuar, se të besuarit e Allmuçës kanë treguar një rendiment të lartë fizik, pa thënë se kanë spikatur edhe disa nga afrimet e verës si: Saraçi, Suvarija, Çota, Hasa, Lika, Nuriu, e Sulejmanaj. Por edhe “garda e vjetër” me Peqinin, Allmuçën, Shabën, Tragajn e ndonjë tjetër, dhanë më të mirën e tyre duke treguar se blutë kanë jo vetëm një formacion solid, por edhe një stol për t’u pasur zili. Trajneri Igli Allmuça ashtu si edhe kolegu i tij Krenar Alimehmeti, kanë bërë disa lëvizje në fushën e lojës, duke iu dhënë mundësi tërë lojtarëve që kanë pasur në përbërje. Në fakt, Dinamo, këtë sezon hyn në garë me pretendime, pasi ka ndërtuar një ekip kompakt dhe kjo është vënë re edhe në 3-4 miqësoret që blutë kanë zhvilluar së fundmi, ku kanë bindur me rezultate, por më shumë me lojën e tyre racionale.

ELMAZI – Spartak Elmazi, një nga kualitetet e skuadrës së Kamzës në sezonin e shkuar, dje është parë që të stërvitet me blutë. Elmazi është një futbollist cilësor dhe me eksperiencë, në Kategorinë e Parë por edhe në Superiore. Nga sa bëhet e ditur, ai do të stërvitet me blutë dhe do të bëhet pjesë e skuadrës së Igli Allmuçës për sezonin e ardhshëm.

Tirana B – Dinamo     0-3

Shënues: Shaba 30’, 50’, Çota 71’

Tirana B: Selgjekaj, Isai, Macaj, Myftari, Kalemaj, Punavija, Spahiu, Vishka, Memoçi, Bardhi, Baro. Trajner: K. Alimehmeti. (U aktivizuan: Paraj, Ahmeti, Hyska, Gjediku, Aruçi, Goxhaj, Mujaj, Keqi, Qurdedi)

Dinamo: Saraçi, Shaba, Peqini, Suvarija, Il. Allmuça, Nuriu, Sulejmani, Hasa, Lika, Alimadhi, Çota. Trajner: I. Allmuça. (U aktivizuan: Sallaku, Doksani, Tragaj, Bogdani, etj)

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image