Derbi, Gatuzo, Ikardi, Juventusi dhe Napoli: Higuaini nuk lë gjë pa thënë!

Milan kishte vite pa patur një qendërsulmues të nivelit të lartë në ekip. Gonzalo Higuain po rikthen shpresat te tifozët kuqezinj dhe argjentinasi, i cili u transferua gjatë verës nga Juventus te Milan, po shfaqet lideri i ekipit të Gatuzos. Gjashtë gola dhe një asist në shtatë ndeshje dhe 84% rritje të abonimeve, pas kalimit të sulmuesit në Milano.

Higuain gëzon respektin dhe besimin e të gjithëve dhe ai është gati për të lënë shenjen e tij në derbin e së dielës kundër Interit. 31-vjeçari ka dhënë një intervistë të gjatë për “Gazzetta dello Sport”, ku flet për derbin e Milanos, ekipin e tij, trajnerin Gatuzo si dhe objektivat e kuqezinjve.

Sulmuesi komenton dhe largimin nga Juventus, ndërsa i rikthehet dhe njëherë situatës së ndodhur te Napoli. Një ditë do të thotë të vërtetën e ngjarjes, që solli kalimin e lojtarit nga Napoli te Juventusit. Nuk është koha për ta bërë, për momentin vlen derbi dhe Gonzalo do të tentojë të shënojë që në ndeshjen e tij të parë në derbin kundër Interit.

FORMA – “Përpiqem gjithmonë të jap më të mirën time dhe të bëj atë që më kërkon trajneri. Ndihem mirë, po kaloj një formë të mirë dhe po e shfrytëzoj, në sajë të trajnerit, i cili preferon futbollin që më pëlqen. Shpresojmë të vazhdojmë kështu.”

GATUZO – “Romanjoli është shprehur se ekipi është gati të ‘vdesë’ në fushë për trajnerin? Jam dakord me Alesion. Gatuzo ka diçka ndryshe. Të sheh në sy dhe e ndjen se sa shumë e dashuron futbollin. Mendoni që kam luajtur në Champions kundër tij, kur isha pjesë e Realit. Po përpiqet të nxjerrë më të mirën nga unë dhe e vlerësoj shumë për këtë fakt. Skuadra është në anën e tij. Ai është një person intensiv, i cili ‘vdes’ për lojtarët e tij. Mos e besoni kur ju thonë që të gjithë trajnerët janë kështu, nuk ka shumë si Gatuzo. Është një nder për mua të stërvitem nga ai, kam bërë zgjedhjen e duhur dhe po përmirësohem. I ngjan shumë Sarrit: ka një dëshirë të çmendur për të fituar dhe kjo gjë më pëlqen shumë.”

MILAN – “Milan duhet të përpiqet të fitojë gjithçka. Objektivi im është të rikthej ekipin në Champions, të shënoj sa më shumë dhe të fitojmë Europa Ligën dhe Kupën e Italisë. Milan ka detyrën të luftojë për të gjithë objektivat, po flasim për ekipin e dytë me numrin më të madh të Champions-eve të fituar, kështu që na e imponon historia për të besuar gjithmonë.”

TITULLI – “Për kampionatin na mungon diçka, sepse është një kompeticion ku nevojitet vazhdimësia. Nëse jemi larg Juventusit është faji jonë. Por duhet të fitojmë Europa Ligën dhe Kupën e Italisë, që janë kompeticione më të shkurtra. Kemi shembullin e Lester Sitit dhe Seviljes. Nëse bën mirë i merr frytet. Na mungojnë pesë pikë nga ndeshjet kundër Napolit dhe Atalantës. Me ato pesë pikë dhe një fitore të mundshme kundër Xhenoas, do të ishim katër pikë poshtë Juventusit. E vërteta është se, nëse besojmë të vetja, nuk jemi inferior kundër askujt.”

OBJEKTIVI – “Drejtuesit janë shprehur se duhen tre vite për t’u rikthyer në fitimin e trofeve? Unë nuk mund të pres aq gjatë. Duhet të jemi të vetëdijshëm se mund të fitojmë diçka që këtë sezon, sepse Milan i ka mjetet për t’ia dalë. Duhet t’ia bëjmë të qartë tifozëve, që jemi në gjendje të bëjmë një sezon pozitiv.”

KUTRONE – “Patrik ju ka konsideruar si një mjeshtër? Unë nuk e konsideroj veten një të tillë. Nëse ai më sheh si një shembull, jam i lumtur, sepse do të thotë që kam bërë mirë në karrierën time të gjatë. Nëse kontributi im shërben për ta ndihmuar dhe për ta bërë të japë më të mirën, kjo gjë më jep shumë kënaqësi.”

DERBI – “Po e presim me qetësi, përqendrim dhe dëshirë për të bërë mirë. Fakti që ‘San Siro’ do të ketë më shumë tifozë të tyre, do të na japë një shtysë më shumë. Të gjithë ndeshjet derbi kanë një shije të veçantë. Kësaj herë do të jetë njësoj dhe për mua është derbi i parë më Milanin. Do të jetë e bukur ta luaj. Ky është një derbi i nxehtë dhe i ngjan derbit të Madridit.”

IKARDI – “Nuk po luajmë tenis, por futboll. 11-të kundër 11-të dhe jo sulmuesit kundër sulmuesve. Fitojnë skuadrat dhe jo lojtarët. Mauro po bën mirë prej vitesh, ka shënuar shumë gola, është i ri dhe mund të përmirësohet akoma. I uroj më të mirat. Ai është një vrasës në zonë. I çmoj shumë goditjen me kokë dhe kohën që zgjedh brenda zonës. Mund të luajmë bashkë? Mund të them se po, për mua nuk është një problem të luaj me një tjetër sulmues. Në karrierë kam luajtur me shumë sulmues të tjerë, adaptohem plotësisht, ashtu siç duhet të adaptohen dhe ata me mua. Raporte jashtë fushe me Ikardin? Jo, nuk flasim.”

DE VRIJ-SHKRINIAR – “Të dy janë mbrojtës të ashpër dhe është bukur të luash kundër këtyre lloj mbrojtësish, sepse të stimulon për të dhënë më të mirën.“

NAINGOLAN – “Është shprehur se Inter ka lojtarë me nivel më të larte se Milan? Bën mirë që thotë gjëra të tilla. Çdokush mbron interesat e klubit të tij. Mund të them që i kemi cilësitë për të fituar derbin.”

DEBUTIMI NË DERBI – “Kaka, Sheva, Inzagi, të gjithë kanë shënuar në derbin e parë. Do të ishte e jashtëzakonshme t’i bashkohesha këtij grupi, por e rëndësishme është të fitojmë dhe jo golat e mi. Para dy vitesh Suso premtoi se nëse fitonte derbin, do të kthehej në këmbë për në shtëpi? E bukur shumë. Ai jeton 50 metra larg stadiumit… Premtoj tre pikët dhe pastaj disa ditë qetësi dhe gëzim deri në Betis.”

JUVENTUS – “Nuk zgjodha unë të largohem. Dëshironin të bënin një hap para me Ronaldon, më thanë që nuk mund të qëndroja dhe se po kërkonin një zgjidhje për mua. Milani ishte zgjidhja më e mirë. Kam dhënë gjithçka për Juventusin, kam fituar disa tituj. Hakmarrje? Jo, aspak. Më kanë trajtuar shumë mirë, shokët dhe tifozët më kanë dhënë një mbështetje të madhe. Por, nuk isha unë që kërkova largimin. Praktikisht, e thonë të gjithë se më larguan. Pata një dashuri të madhe me Milanin që në fillim dhe më bindën të pranoja ofertën e tyre. Një cilësi e Juventusit që do e ‘transferoja’ te Milani? Ata bëjnë një gol dhe fitojnë ndeshjen. Janë vdekjeprurës. Ne jemi një skuadër që shënojmë gola, por nuk duhet të mendojmë t’i fitojmë ndeshjet me rezultatet 6-3, ose 7-4. Duhet të shënojmë dhe të fitojmë, ashtu siç bëjnë bardhezinjtë. Ky është mentaliteti fitues. Juventus është një makineri lufte dhe të përgatisin për këtë gjë. Alegri? Më ka përmirësuar në disa aspekte, si të sulmoj portën dhe si të ndihmoj shokët në mbrojtje.”

NAPOLI – “Njerëzit shajnë lojtarët kur largohen, por Laveci dhe Kavani u larguan në mënyrë të keqe. Tani nuk mundem, por një ditë do të tregoj të vërtetën e largimit tim nga Napoli. De Laurentis? Ai nuk ka asnjë faj, është faji i ne të tjerëve…Laveci u nda keq, Kavani gjithashtu, kishte akoma Sarrin në pankinë dhe mori një trajner tjetër dhe me mua mori 90 milionë euro. Të gjithë kanë probleme me të dhe njerëzit ofendojnë të tjerët. Nuk kam asgjë negative për të thënë për tifozët e Napolit, kam kaluar tre vite të mrekullueshëm aty. Më kanë adhuruar dhe pastaj më urryen. Një ditë do të tregoj mendimin tim, tani nuk mundem. Sarri? Trajneri me të cilin jam ndjerë më mirë se të gjithë në karrierën time. Ai më ka bërë të shprehem më mirë në fushën e blertë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *