Derbi është i Teutës, dorëzohet Goga Basket

0

Gjergj Vyshka

Teuta në basketboll për meshkuj nuk di të ndalet. Pasi ka fituar në mesjavë me Akademik Bulteks 99’ në Ligën Ballkanike, durrsakët fitojnë dhe derbin me Goga Basket, i pari në të gjithë historinë e basketbollit të qytetit bregdetar. Interesimi ka qenë i jashtëzakonshëm me tifozeritë e të dy skuadrave, që kanë mbushur plot Pallatin e Sportit “Ramazan Njala”. Madje ka dhe rivalitet e ekuilibër, aq sa perioda e parë ka përfunduar në barazim, 23-23.

Në të dytën ka një hap më shumë Teuta, e cila ka fituar 20-15 dhe në pushim ka kryesuar 43-38. Goga Basket nuk ndalet, përkundrazi kërkon përmbysjen. 21-21 e treta, që e mban avantazhin e Teutës në pesë pikë diferencë, 64-59. Në të katërtën ka dhe incidente, që ka ardhur në një faull nga Grifin Rame ndaj Hysenagollit.

Gjyqtarët e kanë cilësuar antisportiv faullin e amerikanit, por mes të dyve ka dhe një luftë “gjelash”. Dhe kaq mjafton që të vijnë dhe lojtarë nga bankina, por vetëm ndërhyrja e palëve qetëson situatën. Megjithatë janë ndëshkuar me teknik Hysenagolli e Hamati, por dhe Rame. Ndërkohë për braktisje të zonës së stolit dhe përfshirje në incidente janë ndëshkuar me teknik përjashtimi Thano e Isaku të Goga Basket, si dhe Beqo e Troja të Teutës. Goga Basket është afruar deri në dy pikë, por megjithatë Teuta e ka fituar periodën e katërt 26-21 dhe në përfundim 90-80 për Teutën, e cila tashmë të martën do të luajë përballë Bashkimit të Prizrenit në Ligën Ballkanike.

No automatic alt text available.

Ndërkohë, për femra Flamurtari ka mundur Studentin, 71-46. Në kategorinë e parë për meshkuj, Elbasani ka fituar ndaj Apolonisë, 79-67. Për femra, gjithnjë në kategorinë e parë, Skënderbeu ka fituar ndaj Partizanit, 64-53, kurse Apolonia ka mundur Kamza Basket, 70-38. Java do të mbyllet me derbin Partizani-Tirana.

No automatic alt text available.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.