Dënimi për doping, Jashanica mund të imitojë Olajinkën

Sido që të shkojë, Bajram Jashanica nuk do të falet nga UEFA në lidhje me historinë e Dopingut, pasi sipas rregullores, duhet të vuajë dënimin 2-vjeçar në bazë të substancës që ka përdorur (ulje dënimi mund të ketë, por jo falje e plotë). Në raste të tilla nuk merret parasysh urgjenca, nevoja për aplikimin e medikamentit apo pafajësia e futbollistit, sepse fare mirë mjekët e Skënderbeut mund të kishin lënë jashtë Jashanicën në ndeshjen kundër Jang Bojs, ose të njoftonin UEFA-n para ndeshjes. Për pasojë, mbrojtësi i Skënderbeut do të mungojë gjatë, e shumta mund të ketë një ulje të vogël dënimi për faktin se Skënderbeu dhe lojtari janë të pastër për sa u përket precedentëve në kontrollet antidoping.

E ARDHMJA NË QIPRO? – Një vit e gjysmë ose 2 pa futboll janë shumë, jashtëzakonisht shumë, për një futbollist që është në kulmin e karrierës. Megjithatë, Jashanica ka ende shanse për të luajtur futboll profesionist, sepse mund të imitojë fare mirë Piter Olajinkën. Ky i fundit, kur iku nga Shqipëria pas problemeve me Bylisin, luajti në sezonin 2013/2014 në Qipron turke. Futboll i një niveli të mirë, por që nuk njihet nga UEFA, pasi Qiproja përfaqësohet vetëm me një kampionat në Europë, atë të Qipros greke. Edhe pse nuk njihet nga organizmat ndërkombëtare, Qiproja turke ka një kampionat të fortë, sepse mbështetja financiare nga Turqia është e madhe dhe disa lojtarë prej aty kanë shkuar në Superligën turke apo një kategori më poshtë. Jashanica nuk mund ta lërë futbollin, as që imagjinohet, ndaj Qiproja turke është një mundësi e shkëlqyer për të qëndruar aktiv derisa të përfundojë dënimin për doping.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *