Dënimi nga Disiplina, reagon Kukësi: Tifozë distancohuni nga inskenimet!

0

 

“Falënderojmë ultrasit për mbështetjen, ndërsa dënimi i disiplinorit për kapsollën e hedhur ishte mbi maksimal”

 

Komisioni i Disiplinës në FSHF, ka gjobitur FK Kukësin me 50 mijë lekë për një krismë që u dëgjua në ndeshjen me Laçin, dhe për stimulimin e portierit laçian, që u rrëzua shumë kohë pasi një kapsollë e hedhur nga një fëmijë kishte plasur në ajër. Duke dënuar këtë incident, klubi mendon se masa e dënimit është ekstreme, pasi klube të tjera për të njëjtën gjë, u dënuam më pak. Nga ana tjetër, klubi gjen rastin të falënderojë tifozerinë për mbështetjen që po i jep ekipit brenda në Kukës dhe në ndeshjet në transfertë, por nga ana tjetër rikujton se veprimet anti-sportive, kanë dëmtuar jo pak imazhin e klubit si dhe arkën e tij me gjobat që kanë qenë ekstremisht të larta. Këtë sjellje të tifozëve të veçantë, në disa raste jo të tifozëve kuksianë, siç ka qenë edhe rasti me Legian e Varshavës në Europa Ligë, i kanë sjellë edhe dëme të mëdha financiare klubit. Vetëm për këtë ndeshje klubi u gjobit 70 mijë euro, përveç dënimeve të tjera, ndërkohë që në dy sezonet e para nga sjelljet jo të mira në tifozerisë në Europa Ligë, jemi gjobitur  132 mijë euro. Klubi dhe presidenti Safet Gjici, u bëjnë thirrje gjithë grupimeve të tifozëve që të distancohen nga veprime të tilla që i sjellin vetëm dëm ekipit. Nga ana tjetër e konsiderojmë jetike mbështetjen e tifozerisë. Presidenti  Gjici, gjatë sezonit të kaluar, thuajse në të gjitha ndeshjet,  ka hapur portat e stadiumit për gjithë tifozët. Madje edhe ka financuar udhëtime të tifozëve në ndeshjet jashtë fushe. Vetë tifozët duhet të ndërgjegjësohen që të ndihmojnë ekipin, qoftë edhe me prerjen e biletës me çmim simbolik.

 

Stafi bën apel për

vlerësim maksimal

 

Gjatë kësaj jave, në përgatitjet që ka zhvilluar me skuadrën, stafi i skuadrës së Kukësit, ka bërë apel ndaj lojtarëve që të bëjnë kujdes në takimin me pukjanët. Disa herë si trajneri Trosi ashtu edhe drejtori teknik Hasan Lika, u kanë thënë futbollistëve të tyre që të vlerësojnë maksimalisht kundërshtarin, i cili për ta duhet që të respektohet njësoj sikur luajnë me Skënderbeun kryesues. Madje, në stafin kuksiane, ndeshjen me Tërbunin e quajnë edhe finalen e radhës.

 

Shansi për kreun

 

Kukësi, ka shansin që të afrohet me kreun. Aktualisht kuksianët janë 6 pikë larg, por ata shpresojnë shumë që sfida mes ekipeve të vendit të parë dhe të dytë, partizanit dhe Skënderbeut, e cila do të zhvillohet të dielën në orën 19:00, në stadiumin “Qemal Stafa”, të dalë barazim. Kësisoj, të dyja ekipet shkojnë 20 pikë, ndërsa skuadra kuksiane duke fituar me Tërbunin ngjitet në kuotën e 16 pikëve, duke ngushtuar diferencën me kreun e cila aktualisht është plot gjashtë pikë.

 

“Tre largime” para kohe

 

Edon Hasani i ka thënë lamtumirë sezonit, pas operacionit që ka kryer, ndërsa Ndoni dhe Rama, të ardhur me bujë në merkaton e verës, janë larguar para kohe, duke prishur kontratën me klubin kuksiane. Megjithatë, organika nuk cenohet pasi skuadra ka kualitete.

 

50 MIJË

Lekë të reja ishte gjoba për skuadrën e Kukësit nga Disiplina për shkak të kapsollës që u hodh në fushë në sfidën e Superiores, javën e shkuar me kurbinasit.

 

ORARI

Të dielën

në orën 13:00, do të zhvillohet sfida mes skuadrës së

Kukësit si dhe Tërbunit debutues në Superligë këtë sezon.

 

6 PIKË

është larg skuadra e Kukësit aktualisht nga vendi i parë dhe i dyti, që aktualisht mbahen nga Skënderbeu dhe Partizani.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image