Dëmtohet Fjoralb Deliaj, Tirana afron Rajkoviçin

0

 

Qendërmbrojtësi do të mungojë tri javë për shkak të një dëmtimi në kavilje. Pas Likës, edhe vlonjati detyrohet të ndalë përgatitjet. Për sulmin vjen në provë ish-lojtari i Apolonisë. Do të testohet sot   

Andi TANGU

Duket se problemi me dëmtimet nuk i ndahet lehtë Tiranës. Pas Gilman Likës që u detyrua të kthehej në kryeqytet për shkak të një dëmtimi në gju, tashmë është radha e Fjoralb Deliajt të ndalë përgatitjet dhe të nisë një fazë rikuperimi. Qendërmbrojtësi i talentuar ka pësuar së fundmi një dëmtim në kavilje, ndërsa siç njofton zyra për shtyp e klubit bardheblu, fizioterapisti i skuadrës, Arzen Voci ka ndjekur shqetësimin që ka ndjerë 19-vjeçari, duke bërë maksimumin për rehabilitimin e tij. Por, shkalla e dëmtimit të Deliajt është e rëndë dhe atij do t’i duhen të paktën tri javë pushim absolut para se t’i rikthehet seancave stërvitore me pjesën tjetër të ekipit. Ndryshe nga Lika, i cili u largua nga grumbullimi i Tiranës në Zlatibor për të ndjekur rikuperimin nga dëmtimi në kryeqytet, Deliaj ka qëndruar me skuadrën në Serbi. Shkaku është se bardheblutë do të kthehen nesër në Shqipëri duke përfunduar kështu ditët e përgatitjeve në Zlatibor dhe vlonjati i talentuar i Tiranës do të udhëtojë me skuadrën për në vendin tonë. Në kryeqytet, Deliaj do të kryejë edhe vizitat më të specializuara dhe më pas do t’i nënshtrohet një fazë rikuperimi nga dëmtimi në kavilje. 19-vjeçari u bë pjesë e Tiranës sezonin e shkuar, kur trajneri Ilir Daja vendosi t’i jepte vlonjatit një shans në ekipin e parë, duke e marrë nga skuadra U-19 e bardhebluve. Deliaj shfrytëzoi në mënyrë perfekte hapësirën që iu dha nga trajneri Daja duke zhvilluar paraqitje pozitive në qendër të mbrojtjes, aty ku bardheblutë kishin mungesa të rëndësishme, pasi kujtojmë se Muça dhe Karan qëndruan për një kohë relativisht të gjatë jashtë fushës së blertë për shkak dëmtimesh. Deliaj konsiderohet si një nga talentet e klubit të Tiranës dhe shihet si një lojtar me tepër prespektivë, duke ditur edhe faktin se ai mund të luajë fare mirë edhe në mesfushë. Ndërkohë që pas Gilman Likës, por edhe Gjergji Muzakës, tashmë edhe 19-vjeçari do t’i duhet t’i shtohet listës së lojtarëve në infermieri.

RAJKOVIÇ– Tirana mbylli dje, ditën e 12-të të përgatitjeve në Zlatibor. Ndërkohë që në seancën stërvitore të skuadrës bardheblu ishte prezent Marko Rajkoviç, ish-sulmuesi i Apolonisë. Mësohet se ai do të jetë në provë te Tirana dhe do të aktivizohet sot në miqësoren që kryeqytetasit do të zhvillojnë ndaj OFK Beograd. Sulmuesi serb spikati në dy sezonet e fundit me Apoloninë, duke zhvilluar paraqitje pozitive, ndërsa shihet si një mundësi reale për ofensivën e Tiranës. Por, para se të hedhë firmën në kontratë, Rajkoviç, që tashmë është një lojtar i lirë pas largimit nga Apolonia, do të vëzhgohet nga trajneri Ilir Daja.

 

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.