Dëmtimi i mesfushorit dhe merkato, dy emra nga Premier për Juventusin

Shumica e lojtarëve të Juventusit ndodhën të grumbulluar me kombëtaret e tyre për ndeshjet e Ligës së Kombeve, ose miqësoret e radhës. Një lajm i keq ka ardhur në kampin bardhezi, pasi Miralem Pjaniç është dëmtuar. Mesfushori luajti 87 minuta në ndeshjen Austri-Bosnje, sfidë që u mbyll në barazim pa gola.

28-vjeçari është detyruar të largohet nga loja, pas një kontraktimi muskulor, duke humbur miqësoren kundër Spanjës. Lojtari boshnjak do të kthehet në Torino për t’iu nënshtruar kontrolleve më të detajuara, por vështirë që ai të jetë gati për sfidën ndaj Spalit në kampionat.

Drejtuesit e “Zonjës së Vjetër” po vazhdojnë punën dhe janë gati për të ndërhyrë në merkato. Një mesfushor është objektivi kryesor i bardhezinjve. Siç citon “Times”, Juventus interesohet për Kristian Eriksen. Mesfushori i Totenhemit nuk ka rinovuar kontratën, që i skadon në qershorin e vitit 2020 dhe as që ka ndërmend ta bëjë një gjë të tillë. Danezi kërkon një pagë të barabartë më Herri Kejn dhe Dele Ali, një gjë që drejtuesit e “Spurs” nuk mund ta bëjnë për momentin. Juventusi vazhdon të monitorojë situatën dhe është gati për të ndërhyrë në momentin e duhur.

Por, Eriksen nuk është i vetmi objektiv. Sipas lajmeve që vijnë nga “Calciomercato. it”, braziliani Fabinjo është një nga objektivat e Juventusit. Mesfushori i Liverpulit u ble nga Monako për 45 milionë euro, por “The Reds” janë gati për ta shitur, ose huazuar lojtarin.

25-vjeçari ishte një nga preferencat e Juves që nga koha kur luante me Monakon dhe duke parë aktivizimin e pakët me ekipin e Klopit, e ardhmja e tij mund të jetë Torino dhe Seria A.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *