Dëmtimi e mban edhe larg Shpresave, Zeka merr vendin e Abazajt

Periudha e pafatë e Kristal Abazajt vazhdon. Talenti më i madh i Kategorisë Superiore gjatë sezonit të kaluar vazhdon të vuajë prej dëmtimeve, prej transferimi te gjigandët belgë të Anderlehtit. Gjendja e lojtarit ende nuk është përmirësuar, ndërsa kjo konfirmohet edhe nga vendimi i trajnerit të Shpresave, Alban Bushi për ta zëvendësuar për ndeshjet ndaj Spanjës dhe Estonisë.

Vendimi u konfirmua nga Federata Shqiptare e Futbollit, që njoftoi se për shkak të dëmtimit, Abazaj nuk do të jetë pranë skuadrës për dy ndeshjet e radhës zyrtare. Gjatë mesditës, trajneri Bushi publikoi listën e lojtarëve që kishte grumbulluar, por pas bisedës së pasdites me mesushorin ofensiv, drejtuesi i stolit kuqezi u vu në dijeni të dëmtimit të futbollistit dhe menjëherë e zëvendësoi me Agim Zekën.

Dëmtimi e ka mbajtur Abazajn larg fushave edhe në Belgjikë, me lojtarin që po vuan për shkak të gjendjes fizike dhe ende nuk ka arritur të debutojë te Anderlehti. Në anën tjetër, Zeka, mesfushori i Leiksoes në Portugali, do ti bashkohet skuadrës, për të qenë në dispozicion të trajnerit dhe ekipit. 20-vjeçari, i cili është huazuar te luzitanët nga francezët e Lilës, do të jetë një alternativë e mirë për dy ndeshjet e fundit kualifikuese të Europianit U-21.

Përfaqësuesja Shpresa e Shqipërisë do të luajë më 11 tetor në shtëpi ndaj Spanjës kryesuese të Grupit 2, ndërsa më datë 16 tetor do të luajë në trasfertën me Estoninë, ekipin që mbyll grupin, duke u renditur në vendin e gjashtë me vetëm 1 pikë pas tetë ndeshjeve të luajtura.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *