Dëmtim i shtirur apo rastësi? Bale e thotë hapur: Më i emocionuar kur luaj për Uellsin se sa me Realin

Gareth Bale është i grumbulluar me Kombëtaren e Uellsit dhe është shprehur se është i gatshëm të hyjë në fushë që nga minuta e parë në ndeshjen kundër Azerbajxhanit. Deklaratë kjo që me siguri ka për të lënë një shije të hidhur në klubin e Realit të Madridit, me të cilët ka rreth një muaj që nuk aktivizohet dhe kjo për arsyen se lojtari uellsian deklaronte të ishte i dëmtuar.

Por kjo gatishmëri e Bale për të qenë titullar me Uellsin ndoshta hedh hije dyshimi nëse dëmtimi i tij ka qenë real apo ishte thjesht një shtirje e tij, pasi marrëdhënia e tij me klubin madrilen nuk ka qenë aspak e mirë këto kohë, madje është përfolur shpesh që sulmuesi dhe klubi do të ndajnë rrugët e tyre së shpejti. Për më tepër hijet e dyshimit i shton akoma më shumë, teksa shprehet se ndihet më i lumtur kur luan me Uellsin se sa për Realin, ndërsa e cilëson si një rastësi faktin që e ka lënë pas dëmtimin në momentin kur skenën e futbollit e kanë marrë Kombëtaret.

“Jam më tepër i emocionuar të luaj për Uellsin se sa për Realin e Madridit. Në Kombëtare ndihem më mirë pasi flas gjuhën time dhe me pjesën më të madhe të lojtarëve kam njohje që në moshën 17-veçare. Është sikur të luash të dielave me shokët në park. Por unë jap 100% në fushë, pavarësisht se me kë apo ku luaj.

Kam dëgjuar shumë histori mbi veten, por nuk u kushtoj rëndësi. Njerëzit nuk i kuptojnë disa gjëra. U përpoqa të rikthehesha në formën më të mirë sa më shpejt të ishte e mundur. Nëse do të kisha ndeshje me Realin këtë fundjavë, do të përgatitesha për të. Ndoshta nuk duket mirë për mediat spanjolle, por rikthimi im në fushë në ndeshjen me Kombëtaren është thjesht një rastësi”, ka deklaruar Bale./Sport Ekspres/