Demiri kthehet në staf: Apolonia, jeta ime!

0

Trajneri fierak do të jetë ndihmësi i Mëgjyshit dhe shpreson për kthimin e shpejtë të skuadrës në elitë. Vjen edhe përgatitësi atletik Theodhori Rama

 

Altin Kuko

 

Ndryshimet e paralajmëruara nga “Sport Ekspres” në stafin e Apolonisë janë konkretizuar dje, në seancën e parë stërvitore të skuadrës fierake. Bashkë me trajnerin Artan Mërgjyshi, në fushën e stërvitjes janë paraqitur edhe Elidon Demiri dhe Theodhori Rama, i pari në rolin e ndihmëstrajnerit dhe i dyti në rolin e përgatitësit atletik. Për momentin është bosh vendi i trajnerit të portierëve. Kështu, trajneri Mërgjyshi do të ketë një staf të ri sezonin e ardhshëm dhe bashkë me bashkëpunëtorët e tij do të bëjë gjithçka për kthimin e Apolonisë në Superligë. Në seancën e parë stërvitore kanë munguar vetëm dy futbollistët e huaj, afrikani Atanda dhe serbi Rajkoviç, për të cilët mësohet se nuk ka pasur një rakordim të saktë në lidhje me datën e grumbullimit të skuadrës. Të dy pritet të bashkohen me skuadrën këto ditë, ndërkohë që në lidhje me merkaton gjithçka është ende në fazën e bisedimeve dhe duhet pritur për të mësuar për përforcimet.

DEMIRI – Ajo që bie në sy është rikthimi në staf i Elidon Demirit, i cili e drejtoi Apoloninë gjatë gjysmës së parë të sezonit që shkoi. Bashkë me trajnerin Mërgjyshi, duket se do të përbëjnë një dyshe simpatike në stolin e bardhejeshilëve, duke synuar pa dyshim kthimin e tyre në elitë. Trajneri fierak, siç e pohon edhe vetë, e ka mirëpritur ftesën e klubit për të punuar bashkë me kolegun Mërgjyshi, duke i shërbyer Apolonisë. Ai e sheh gjithçka si bashkëpunim dhe jo si dualitet:

“Po, jam kthyer në stafin e Apolonisë, në rolin e ndihmësit të trajnerit Mërgjyshi. E kam mirëpritur ftesën e klubit dhe për mua është e rëndësishme që t’i shërbej profesionit që kam si dhe skuadrës, me të cilën e kam të lidhur jetën. Jam i gatshëm t’i shërbej Apolonisë në çdo moment, me të gjitha mundësitë e mia. Kjo skuadër më ka dhënë shumë dhe unë jam përpjekur t’i jap shumë.

Dua të bëj sërish më të mirën. Nuk kam pasur asnjë problem me klubin apo drejtuesit, kur u largova, dhe jam kthyer me kënaqësi në staf, ku kam gjetur edhe ngrohtësinë e trajnerit Mërgjyshi. Të gjithë bashkë do të bëjmë përpjekje maksimale, duke marrë edhe ata lojtarë që na duhen, për ta ngjitur Apoloninë në elitë. Apolonia është jeta ime”, – ka theksuar mes të tjerash për “Sport Ekspres” Elidon Demiri, i cili e ka drejtuar skuadrën fierake në Kategorinë e Parë dhe duket se ia di “hilet” këtij kampionati.

 

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here