Demi: Nuk po e hedhim ne Tiranën, kur të iki unë fitojnë!           

Gazment Demi mund të festojë. Partizani u shpall kampion dhe e bëri diçka të tillë në derbi. Pas ndeshjes që të kuqtë fituan me Tiranën ai u ndal dhe foli për mediat. Emocionet i fsheh në maksimum, ndërkohë që objektivi është ndërtimi i kompleksit. Ky ishte “titulli” që kreu i klubit të kuq e ka dashur që në fillim, por punimet kanë ngecur prej kohësh. Demi nuk i shmang as batutat dhe nga ajo që thotë Tiranës do i duhet ende të presë për të fituar derbin.

E prisnit titullin në derbi?
-E prisnim titullin që do ta fitonim, nisur edhe nga rezultatet. Fituam edhe derbin që është si një titull më vete. Tani të shohim vitin tjetër.

26 vite pritje dhe tifozët që hyjnë në fushë, çfarë ndjesie ju dha kjo?
-Ishte e drejta e tyre legjitime të gëzonin, pas 26 vitesh erdhi titulli. Edhe unë besoj se e kam fituar eksperiencën dhe të shohim për të ardhmen.

Si ndiheni që jeni presidenti i parë që fitoni titullin…
-Jam i qetë, njëlloj si herët e tjera. Nuk jam i pari që fitoj titullin, janë edhe 15 tituj. Pas 26 vitesh erdhi titulli. Mendoj se do ishte ndonjë tjetër që do e merrte. E mora unë, mirë është për mua.

Do vazhdojë të dominojë Partizani?
-E mira është që të merremi me kompleksin. Kemi shumë vite pa shpi. Përfundimi i kompleksit është më i rëndësishmi. Sigurisht që edhe Partizani të vazhdojë me rezultate të mira.

E kuptoni që keni hyrë në histori duke fituar titullin kampion në derbi?
-Këto të historisë, ia lëmë historisë. Ne fituam një ndeshje që quhet derbi. Ishim më mirë në fushë, siç e patë edhe ju. Fituam dhe kështu që…

Po ajo që keni thënë për humbjet në derbi?
-E kam harruar atë fjalë. Kur të iki unë nga Partizani do fitojë edhe Tirana.

Me këtë fitore rrezikoni Tiranën dhe mund t’iu mungojë derbi vitin tjetër…
-Dua gjithmonë të ketë derbi. Ju e dini se ne bëjmë gjithmonë lojë të ndershme. Tirana e ka vetë në dorë, ka ndeshje me rivalin direkt. Kështu që nuk mund të thuhet kjo që e nxori Partizani. Sot ne morëm titullin, kjo po.

A ka ndonjë shpërblim për ekipin për titullin?
-Respekte!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *