Dema drejt Lirisë, Nica tregon planet

Trajneri durrsak i kurbinasve shprehet se po hedhin “piketat” e para të ndërtimit të skuadrës për sezonin e ri. Mesfushori shkodran drejt largimit, e duan në Kosovë

Vladimir Prenga

Laçi ka nisur të lëvizë, teksa mes presidentit Pashk Laska dhe trajnerit Nica ka pasur një bisedë të gjatë mbi ndërtimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm. Momentalisht po bëhet një bilanc i hyrje-daljeve si dhe po hidhen hapat e parë për zyrtarizimin e përforcimeve. Klubi është në bisedime me disa futbollistë, por ende nuk ka asnjë konkretizim, duke bërë që gjithçka të mbetet mes drejtuesve. “Sport Ekspres” ka kontaktuar me trajnerin Stavri Nica, i cili ka treguar edhe planet për ndërtimin e skuadrës për sezonin e ardhdhëm. “Kemi kaluar një periudhë pushimesh dhe tani kemi nisur të mendojmë për lëvizjet që do bëjmë. Kam folur me presidentin dhe do mundohemi të afrojmë lojtarët që i duhen skuadrës. Duam të ruajmë një ekuilibër dhe fillimisht po mendojmë të përforcohemi në mbrojtje, ta sigurojmë këtë repart dhe më pas të mendojmë për më lart. Dihet që skuadra ka nevojë për disa lojtarë, pasi kemi pasur edhe largime, por ne do përpiqemi të bëjmë më të mirën dhe të jemi gati për nisjen e sezonit të ri futbollistik. Momentalisht nuk mund të flasim për emra, pasi jemi në periudhë tratativash. Me mbylljen e tyre atëherë vetë klubi do njoftojë për lëvizjet në merkato”, u shpreh trajneri Nica për gazetën. Durrkaku u kthye te Laçi në fund të kampionatit të shkuar dhe arriti që së bashku me skuadrën të garantonte qëndrimin në Superiore.

DEMA – Serinë e largimeve te Laçi mund ta vazhdojë shkodrani Bekim Dema, i cili u afrua te bardhezinjtë në muajin janar. Mesfushori la skuadrën e Kukësit dhe nënshkroi për Laçin, por as aty nuk pati hapësira, duke u aktivizuar vetëm në tre ndeshje dhe vetëm në njërën luajti si titullar. Aventura e tij pritet të mbyllet këtu, teksa shkodranin e kërkon Liria e Prizrenit, që drejtohet nga Bledi Shkëmbi. Korçari e njeh mirë Demën, pasi e ka pasur shok skuadre te Skënderbeu dhe tanimë pritet ta ketë nën urdhrat e tij për sezonin e ardhshëm futbollistik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *