Del Piero shfrenon fantazinë: Mesi i pushtuar nga djalli!

Leo Mesi zhvilloi një nga ndeshjet më të bukura në karrierë kundër Liverpulit. Kapiteni i Barçës ishte fenomenal, i zbaviti të gjithë dhe shpalosi gjithë cilësitë që i zotëron vetëm ai, kundër një Liverpuli që meritonte më shumë se rezultati që prodhoi fusha.

Ylli argjentinas shënoi dy gola në fitoren 3-0, pasi Suarez zhbllokoi shifrat në pjesën e parë. Goli i dytë i Mesit ishte magjik. Për të komentuar një kryevepër të tillë nevojitet komenti dhe ndjesia e një prej atyre që e njohin në perfeksion mjeshtërinë e goditjeve të dënimit.

Aleks Del Piero ka realizuar plot eurogola të tillë, por ai i mbrëmjes së kaluar është special. Italiani i famshëm ka folur për “Sky Sport” për golat e Mesit dhe paraqitjen e tij fantastike në ndeshjen e parë gjysmëfinale.

Thellësisht i mrekulluar me çfarë ka shijuar, ish-kapiteni legjendar i Juventusit gjen kohë të bëjë shaka për numrin 10 të Barcelonës, ndërsa nuk i kursen elozhet për të.

Çfarë mund të thuash? Mendoj se Mesi ishte i pushtuar nga djalli në këtë ndeshje. Edhe goli i parë i Leos nuk ishte i lehtë. Shikoni me çfarë ëmbëlsie e kontrollon topin që kthehet nga traversa. Sa i përket golit të dytë nga 27 metra, të godasësh me atë preçizion dhe forcë (91 km/h shpejtësia e topit) është çmenduri. Kur ke në ekip lojtarë të këtij niveli, në një mbrëmje Championsi ata ta fitojnë ndeshjen të vetëm. Alison? Nuk u vendos mirë, por sinqerisht mendoj se edhe me një lojtar më shumë në mur, asgjë nuk do të kishte ndryshuar. Mesi analizoi situatën dhe gjeti zgjidhjen. Sërish do të kishte shënuar”, përfundon Aleks Del Piero.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *