Dekada e fundit, Flamurtari tabu për Luftëtarin

Sfida e së enjtes në Vlorë, mes Flamurtarit e Luftëtarit, është ndër më interesantet e javës, sepse ndeshen dy skuadra që kanë shumë cilësi brenda dhe premtojnë një ndeshje të bukur. Është një sfidë që në dekadën e fundit nuk e ka parë asnjëherë fitues Luftëtarin, që në 8 përballje me bregdetarët është mundur 5 herë. Fitorja e fundit vlonjate erdhi vjet në prill, mes polemikash pa fund për një 11-metërsh akorduar Flamurtarit në fundin e ndeshjes, me faullin që dukej se kishte nisur jashtë zone.

Sezoni i shkuar ishte një makth për Luftëtarin për sa u përket përballjeve me Flamurtarin, sepse mori vetëm një pikë në 4 ndeshje dhe u mund 5-0 në shtator 2016 në Vlorë, humbja më e thellë e sezonit. Gjithsesi, këtë sezon një gjysmë hakmarrjeje Luftëtari e ka arritur, sepse nuk është mundur ende nga Flamurtari, me dy përballje që janë mbyllur në barazim. Pa gola në shtator në Vlorë, në një ndeshje të vakët në lojë e raste, 1-1 në dhjetor në Gjirokastër, aty ku Luftëtari mori një pikë me vuajtje dhe më pas nisi fluturimin, sepse ishte në krizë të thellë dhe pas Flamurtarit filloi të merrte me “shuplaka” gjithë ekipet e kreut.

ASNJË MUNGESË – Nëse ndaj Vllaznisë lista e mungesave ishte e gjatë, këtë radhë Hasan Lika merr frymë i qetë. Kthehen gjithë lojtarët e dëmtuar apo të pezulluar, duhet të jetë i gatshëm edhe kapiteni Beqiri, i cili nuk ia doli ndaj Vllaznisë. Në këtë mënyrë, kthehet formacioni më i mirë i mundshëm, me Rrocën pas sulmit fantastik Bregu-Abazaj-Shkurtaj. Meqë jemi te sulmi, në ndeshjen ndaj  Vllaznisë rastet për shënim ishin të shumta dhe gabimet para porte ishin po aq të shumta, por pakënaqësia ndaj sulmit gjirokastrit është absurde, nëse ekziston. Aq shumë lojë e raste nuk i krijon asnjë skuadër në Shqipëri dhe me siguri, nëse ka diçka që Flamurtari ia ka zili Luftëtarit, është pikërisht volumi pa fund i lojës dhe rasteve në sulm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *