Dejvi Bregu: Pse jo, sërish për Europë!

Luftëtari ka marrë rezultate më të mira se sezonin e shkuar dhe kjo e kënaq yllin e skuadrës gjirokastrite, të paktën deri tani

Gëzim Beqiri

Dy ditë pushim u akorduan për futbollistët e Luftëtarit, ”si shpërblim” për barazimin ndaj Flamurtarit në Vlorë, i cili erdhi përveç të tjerave, edhe nga sakrificat e shumta të futbollistëve në veprimet individuale. Futbollistët do të grumbullohen sot pasdite për të rifilluar stërvitjen. Treguesit e Luftëtarit krahasuar me një sezon më parë janë shumë pozitive. Nga tre takimet e deritanishme, dy të zhvilluara në transfertë, ka marrë pesë pikë nga dhjetë që realizoi krejt fazën e parë sezonin e kaluar. Edhe golaverazhi është më pozitiv, nga 1-6, tashmë në 1-2, por më shumë se këta tregues është loja bindëse e Luftëtarit, për të tjera rezultate pozitive.

Ajo që la përshtypje më shumë në lojën e Luftëtarit ishte jo vetëm mbrojtja tepër e organizuar me në krye kapitenin Orjad Beqirin, por edhe e reparteve të tjerë si dhe loja e vlonjatit tjetër që mbron ngjyrat e Luftëtarit, Dejvi Bregun i cili për gazetën “Sport Ekspres” deklaron se: ”E kishim menduar dhe e prisnim rezultatin pozitiv në takimin në Vlorë. Jo se Flamurtari është ekip që i merr pikë lehtë, por sepse edhe forca e ekipit tonë të jep mundësinë të ndeshesh dhe të fitosh ndaj çdo kundërshtari. Pjesën e parë e dominuam ne, por nuk vazhduam më të njëjtin ritëm pjesën e dytë, ngaqë patëm edhe lodhje fizike, sepse vrapuam shumë dhe e ndiejmë se na duhet ende kohë që të arrijmë ngarkesën e duhur fizike. Dihet që ne e filluam fazën përgatitore me shumë vonesë dhe na duhej më shumë kohë që të arrinim parametrat e kërkuara. Me ndërprerjen e kampionatit na jepet mundësia të bëjmë plotësimet e duhura dhe kam besim se me rifillimin e kampionatit, skuadra jonë do të jetë edhe më rezultative. Të gjitha ekipet shprehen sa herë që ndërpritet kampionati se është në favorin e tyre, por për ekipin tonë kjo është e domosdoshme, sepse jo vetëm janë disa futbollistë që përfitojnë në rikuperim në këto ditë pushimesh, por e filluam me vonesë fazën përgatitore dhe stafi teknik, nuk pati shumë kohë në dispozicion për të përgatitur si duhet skuadrën, sidomos në aspektin taktik. Taktikisht veprojmë drejt dhe fitorja në Laç apo barazimi në Vlorë nuk janë rastësi. Fakti që jemi po ai grup lojtarësh i një sezoni të mëparshëm, me pak ndryshime, na jep mundësinë të njohim sa më mirë lojën e njëri-tjetrit. Duke njohur cilësitë e secilit veprojmë më të kujdesur dhe me pak vëmendje në pasin e fundit, Luftëtari nuk do të konsiderohet si më parë, ekip surprizë, por një emër dhe realitet që do t’i japë më shumë bukuri dhe konkurrencë për një nga vendet e para në klasifikim në Superligë”, shprehet futbollisti i Luftëtarit, Dejvi Bregu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *